Sekiraqa para gjyqit për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës

Sot pritet që si dëshmitar të dëgjohet Faton Shoshi

Enver Sekiraqa sot pritet të vazhdoi përballjen me Prokurorinë lidhur me akuzat për nxitjen e vrasjes së policit, Triumf Riza. Në këtë rast gjyqësor sot pritet që si dëshmitar i radhës të dëgjohet Faton Shoshi.

Dëshmitari Shoshi kishte qenë i paraparë që të dëgjohej edhe seancën e kaluar, por i njëjti nëpërmes një parashtrese i kishte kërkuar Gjykatës që të shtyjë seancën.

Ky rast ka filluar rishtazi pasi që Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim.

Aktakuzën e prokurorisë e përfaqëson prokurori special Haki Gecaj, ndërsa rasti po gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësit, Shashivar Hoti, Beqir Klludra dhe Shadije Gërguri.

Gjatë seancave të kaluara, në rifillimin e gjykimit, Sekiraqa kishte deklaruar se do të mbetet në heshtje në pyetjet e prokurorit dhe trupit gjykues.

“Asnjë përgjigje, as prokurorit e as trupit gjykues nuk u përgjigjem”, kishte thënë Sekiraqa.

Enver Sekiraqa akuzohet për nxitje në vrasjen e policit, Triumf Riza, ndërsa për vrasjen e tij në gusht të 2007-ës është dënuar dorasi, Arben Berisha.

Sekiraqa ishte dënuar në vitin 2016 me 37 vjet burg në lidhje me nxitjen e vrasjes së policit Triumf Riza, mirëpo Gjykata e Apelit e ka gjetur të mbështetur ankesën e mbrojtjes dhe e ka kthyer në rigjykim çështjen./ kallxo.com

Back to top button