Sekuestrohen mbi 66 mijë euro të padeklaruara, arrestohen dy persona

Policia e Shtetit Shqiptar sot ka informuar se janë sekuestruar 66 040 euro të padeklaruara, ndërsa janë arrestuar në flagrancë dy persona.
“Seksioni i Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës kishte marë informacion në rrugë operative për një sasi eurosh që mund të futeshin në rrugë të paligjshme nëpërmjet Portit të Durrësit. Bazuar në këtë informacion në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare dhe autoritetet doganore, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje, ashtu dhe në hyrje, në Portin e Durrësit. Si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar dhe në analizën e riskut të bërë nga ana e shënimeve të Policisë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm një autobuz, me drejtues shtetasit V. E., dhe A. Th.”, ka informuar policia.
V. E., 50 vjeç, banues në Elbasan dhe A. Th., 61 vjeç, banues në Tiranë (shofer të autobusit), janë arrestuar për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Strukturat hetimore të DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë vepër penale./21Media

Back to top button