Sekuestrohen në Viti 3 mijë kg mish me prejardhje nga Brazili

 
Është parandaluar sot një rast kontrabande dhe janë sekuestruar tre mijë kilogramë mish me prejardhje nga Brazili, në fshatin Kabash të Vitisë.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës bëhet e ditur se patrullat e Policisë Kufitare të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit- Zhegër, kanë intensifikuar patrullimet dhe aktivitetet patrulluese e hetimore me qëllim parandalimin e dukurive të kundërligjshme në kufi. “Si rezultat i angazhimeve policore, më 19.02.2022, rreth orës 12:30, bazuar edhe në analizën e rriskut dhe informacioneve inteligjente të bëra nga ana e njësive të policisë kufitare është arritur të identifikohen një automjet kombi (furgon) pa targa, i drejtuar nga një mashkull kosovar i cili përmes rrugëve ilegale kishte hy në vendin tonë nga territori i Maqedonisë”.
Tutje bëhet e ditur se autoritetet policore kufitare edhe përkundër tentativës së drejtuesit të automjetit për t’iu shmangur ndalimit policor, kanë arritur ta ndalojnë në fshatin Kabash të Vitisë. Gjatë kontrollit në automjetit është gjetur mall i kontrabanduar, 108 pako me gjithsej tre mijë kilogramë mish i kuq me prejardhje nga Brazili.
Rasti është trajtuar nga patrulla e Policisë Kufitare dhe Njësia e Hetimeve Rajonale e Drejtorisë Kufitare Lindje, në bashkëpunim me prokurorinë përkatëse pas hetimeve preliminare malli i konfiskuar do t’i dorëzohet Doganave të Kosovës./21Media

Back to top button