Sekuestrohen tri armë zjarri në dy raste të ndryshme

 
Njësitet policore në kuadër të Stacionit Policor Jugu në Mitrovicë, gjatë natës së 9 korrikut 2021, kanë sekuestruar tri armë zjarri në dy raste të ndryshme.
Në rastin e parë i cili ka ndodhur gjatë mesnatës në rrugën ”Dëshmorët e Kombit” në Mitrovicë, ishte pranuar informacion për të shtëna, ku policia ka identifikuar lokacionin dhe i dyshuari në një aheng familjar kishte shtënë me armë, nga i njëjti është sekuestruar arma e llojit pistoletë me një fishek.
”I dyshuari, A. R, 34 vjeçar është shoqëruar në stacionin policor dhe ndaj tij është iniciuar rasti për ”Përdorim të armës” dhe ”Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës”, është bërë e ditur në komunikatë.
Ndërsa në lidhje me rastin e dytë është raportuar për të shtëna armësh po ashtu gjatë mesnatës në rrugën ”Morava” në Mitrovicë, njësitet përkatëse policore kanë reaguar me urgjencë me ç’ rast në vendin e ngjarjes fillimisht kanë identifikuar njërin nga të dyshuarit F. Xh., 32 vjeçar, nga i cili është sekuestruar një pistoletë me shtatë fishek.
”Si rezultat i hetimeve të para policia në vendin e ngjarjes ka gjetur edhe gëzhoja tjera të cilat ishin indikacion i identifikimit të edhe një personi tjetër të dyshuar për të shtëna në të njëjtin lokacion, ku nga i dyshuari R.I., 67 vjeçar, është sekuestruar një armë pushkë automatike AK 47, me tre fishek”, është bërë e ditur në komunikatë.
Nga hetimet e para bëhet e ditur se dy të dyshuarit pas një mosmarrëveshje kanë shtënë me armë në ajër. Ndaj dy të dyshuarve është iniciuar rast për veprën penale ”Përdorim të armës” dhe ”Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës”.
Ndërkaq, pas intervistimit dhe procedurave të nevojshme me urdhër të prokurorit të rastit tre të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt./21Media

Back to top button