Senati i UP-së thërret mbledhje të jashtëzakonshme për profesorin Bejta

Senati i Universitetit të Prishtinës do të mblidhet të mërkurën për të diskutuar lidhur me “shkeljet e përsëritura disiplinore, joakademike dhe joetike” të profesorit Bekim Bejta, ka njoftuar Parlamenti Studentor.

Parlamenti Studentor ka thënë se e mirëpret mbledhjen e jashtëzakonshme të senatit si dhe dy protestat e paralajmëruara për nesër, para Fakultetit të Filologjisë dhe para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.

“Në mbledhjen e cila do të mbahet nesër, do të diskutohet dhe do të merret vendimi lidhur me shkeljet e përsëritura disiplinore, joakademike dhe joetike të Prof. Asoc. Dr. Bekim Bejta, mësimdhënës në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Fakultetin e Filologjisë”, thuhet në njoftimin e Parlamentit Studentor.

Përfaqësuesit e Parlamentit kanë thënë se do të jenë të zëshëm dhe të vendosur për të kërkuar masa radikale, përfshirë përjashtimin e profesorit.

“Në të njëjtën kohë, Parlamenti Studentor si organi më legjitim i përfaqësimit të studentëve, mbështet dy protestat e thirrura për nesër, nga ora 10:00 dhe 12:00, para Fakultetit të Filologjisë dhe para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës”.

Back to top button