Senegali regjistron fitoren e parë në Botëror, fundos Katarin
Kombëtarja e Senegalit e ka regjistruar fitoren e parë në Kampionatin Botëror “Katar 2022”, duke mposhtur pikërisht nikoqirin e kësaj gare, Katarin.
Pas plot 90’ minutave lojë dhe gjashtë sosh shtesë të zhvilluara në stadiumin “Al Thumama”, Senegali e ka mposhtur Katarin me rezultat 3:1.
Fillimisht, rezultatin i pari e zhbllokoi Boulaye Dia, i cili kaloi Senegalin në epërsi prej 1:0 në minutën e 41’ të ndeshjes.
Senegali e vazhdoi paraqitjen e mirë edhe në pjesën e dytë, ku e thelloi epërsinë në 2:0 përmes golit të shënuar nga Famara Diedhiou në minutën e 48’.
Katari arriti ta gjejë golin e nderit të ndeshjes në minutën e 78’, ku Mohammed Muntari shënoi për ta ngushtuar epërsinë e Senegalit në 2:1.
Por, ky gol nuk ishte i mjaftueshëm për nikoqirët e këtij turne, pasi që Senegali e gjeti edhe golin e tretë të ndeshjes përmes Bamba Dieng, i cili vulos rezultatin final 3:1 në minutën e 84’.
Me pikët e reja, Senegali tani zë vendin e tretë në Grupin A me tre pikë të arkëtuara, aq sa kanë edhe Ekuadori e Holanda, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.
Në anën tjetër, Katari tani është shumë afër eliminimit, pasi që zë vendin e fundit në grup me asnjë pikë të arkëtuar.
Rezultati final i ndeshjes, 3:1 në favor të Senegalit.