Serbët e kanë të drejtën e votës, por kjo duhet të bëhet nën ”ombrellen e rregullave juridike”

Sot Kuvendi i Kosovës ka filluar sesionin pranveror me seancë të jashtëzakonshme.
Kjo seancë është thirrur nga kryministri, Albin Kurti pas takimi të së premtes me shtetet e QUINT-it, në lidhje me referendumin e Serbisë.
Sot kryeminstri ka theksuar se serbëve nuk ia mohon të drejtën askush të votojnë vetëm se kjo gjë duhet të bëhet me rregullat juridike të shtetit të Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani, kryekuvendari Glauk Konjufca, si dhe kryeministri Albin Kurti dolën me deklaratë të përbashkët pas takimit me ambasadorët e QUINT-it dhe përfaqësuesin e BE-së, duke theksuar edhe një herë kundërshtimin e tyre për mbajtjen e referendumit serb në Kosovë.
Në deklaratë thuhet se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare. Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës.
Krerët e shtetit i kanë thënë ambasadorëve se qytetarët serbë të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse.
Sipas tyre, edhe praktikat e deritanishme të aplikuara që nga viti 2012, kanë qenë kundërkushtetuese, e si rrjedhojë nuk i obligojnë institucionet e tanishme të Republikës së Kosovës të dala nga vullneti i qartë i qytetarëve i shprehur më 14 shkurt 2021.
Institucionet e Kosovës i kanë bërë thirrje të gjitha shteteve demokratike që ta mbështesin Kosovën në përpjekjet e saj për t`i ndalur veprimet e vazhdueshme të Serbisë që minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës. Për më tepër, sipas tyre, kjo praktikë e Serbisë, që po e ndjekë modelin rus, ka mbështetjen e plotë të Federatës Ruse.
Ndërkaq, shtetet e QUINT-it (Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian) i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të lejojë mbajtjen e referendumit serb në Kosovë më ndërmjetësimin e OSBE-së./21Media

Back to top button