Serbia sot pritet t’i kërkojë KFOR-it dërgimin e forcave në Kosovë

Qeveria e Serbisë, sipas paralajmërimeve, pritet që në seancën e sotme të vendosë për dërgimin e kërkesës në KFOR për dërgimin e forcave të sigurisë në Kosovë.
Këtë e ka paralajmëruar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë adresimit të tij në fillim të kësaj jave. Atë ditë, ai tha se të enjten, Serbia edhe zyrtarisht do ta paraqesë kërkesën zyrtare në KFOR për rikthimin e forcave serbe të sigurisë në Kosovë sipas Rezolutës 1244, të cilën përfaqësuesit serbë e lajmëruan pas vendosjes së barrikadave në veri të Kosovës.
Megjithatë, edhe pse tha se do ta bëjnë këtë kërkesë në KFOR, Vuçiqi u shpreh skeptik se kjo kërkesë do të pranohej.
SHBA-ja nuk pajtohet me dërgimin e forcave serbe në Kosovë. I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në prag të takimit me Vuçiqin, tha se SHBA-ja është kategorike kundër kthimit të forcave serbe në Kosovë.
Edhe pas takimit me Vuçiqin, ai përsëriti se SHBA-ja “refuzon kategorikisht kthimin e Ushtrisë serbe në veri të Kosovës”.
As Gjermania nuk e përkrah dërgimin e ushtrisë serbe në Kosovë.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se kthimi i ushtrisë serbe në Kosovë është i papranueshëm.
Kundër kësaj ideje kanë dalë edhe institucionet e Kosovës, të cilat këtë retorikë nga ana e Serbisë e kanë konsideruar si luftënxitëse.