Shaban Gogaj dënohet me 7 vjet e gjysmë burgim për vrasjen e Agonis Tetajt

Edhe në rigjykim, Shaban Gogaj është dënuar me 7 vite burgim për vrasjen nga pakujdesia të Agonis Tetajt në shtator të 2018-ës. Herën e parë ishte dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim.

Aktgjykimi është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Pejë nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova.

Për vrasje nga pakujdesia, Gogaj është dënuar me 5 vite burgim ndërsa për armëmbajtje pa leje me 3 vite. Gjykata ka shqiptuar dënimin unik prej 7 viteve burgim ndaj të akuzuarit Gogaj, duke e llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim prej 23 shtatorit 2018.

Ndërsa, Isuf Cacaj është dënuar me 2 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Kjo është hera e dytë që Shaban Gogaj dënohet me burgim pasi është gjetur fajtor për “vrasje nga pakujdesia” që kishte ndodhur në lokalin e familjes Gogaj.

Në seancën e fundit, bashkëshortja e të ndjerit Tetaj, Albesa Cacaj ka hequr dorë nga kërkesa pasurore-juridike, duke kërkuar që të vendoset drejtësia e të mbyllet çështja penale.
Në seancën e 31 janarit, i akuzuari Gogaj kishte thënë se asgjë s’kishte ndodhur me dëshirën e tij dhe se do të jepte gjithë jetën që të ishte i gjallë Agonis Tetaj.

Më 14 tetor 2022, Gjykata Themelore në Pejë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, duke e dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasje nga pakujdesia të Agonis Tetajt.

Gjykata e Apelit më 23 mars 2023 kishte shqyrtuar ankesat e mbrojtësit të Gogajt, avokatit Besnik Berisha, palës së dëmtuar, avokatit Berat Tmava dhe ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan. Kurse, pas shqyrtimit të ankesave, Apeli më 23 mars 2023 e ka kthyer lëndën në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, Shaban Gogaj akuzohet se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetajn dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve A.H dhe F.Z. Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, në dyqanin “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armën, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës./betimipërdrejtësi

Back to top button