Shamia në shkolla, Krasniqi: Pushteti të përmbushë premtimet

Hoxha Shefqet Krasniqi, ka thënë se pushteti aktual duhet të përmbushë premtimet dhe të shfuqizojë pjesën e udhëzimit administrativ lidhur me ndalimin e shamisë në shkolla, pasi sipas tij, Kosova banohet nga një popullatë mbi 95% muslimanë dhe kjo është e drejtë e cila nuk mund të cënohet as të negociohet.
Sipas Krasniqit, këto premtime, Qeveria aktuale i bëri në zgjedhjet e kaluara.
“Flitet e bëhet thirrje për të drejta të shtazëve, të drejta të grupeve të ndryshme të cilat nganjëherë 50 veta nuk i mbledhin në tërë Kosovën ndërsa heshtin për kërkesat e komunitetit më të madh në vend. Ne kemi ngritur zërin që nga paslufta në vazhdimësi rreth kësaj çështje ashtu edhe siç kemi përkrahur të gjitha iniciativat rreth kësaj kërkese e sigurisht se e përkrahim edhe këtë iniciativë”, ka thënë Krasniqi.
Në fund, ai ka pasur edhe një lutje.
“Zoti e ruajtë këtë rini e drejtoftë bashkë me këtë qeveri, Amin!”, ka përfunduar hoxha.
Edhe kryeministri Albin Kurti, ka folur sot për inicimin e kampanjës së qytetarëve në vend për ndryshimin e udhëzimit administrativ i krijuar para 12 vjetësh për ndalimin e mbulesës në shkolla.
Kurti ka thënë se në Kosovë nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve.
Ndërsa Bashkësia Islame e Kosovës më 4 gusht, ka kërkuar që kjo çështje të mos politizohet e as polarizohet, por të trajtohet me përgjegjësi e korrektësi maksimale./21Media 

Back to top button