Shaqiri: Humbëm lojën në pjesën e parë, u kërkoj falje të gjithë tifozëve

Kombëtarja e Zvicrës u eliminua sot nga Kampionati Botëror “Katar 2022”, duke u mposhtur nga Portugalia me rezultat të thellë 6:1.
Zvicra arriti deri në fazën eliminatore të këtij Botërori, ndërsa dështoi ta siguroj biletën e fundit drejt çerekfinales.
I zhgënjyer me eliminimin e Zvicrës ishte edhe futbolliste me prejardhje kosovare, Xherdan Shaqiri, i cili u kërkoi falje të gjithë tifozëve në emër të gjithë ekipit.
“Jemi shumë të zhgënjyer. Në emër të ekipit, u kërkoj falje të gjithë tifozëve që nuk arritëm të bënim paraqitjen tonë të zakonshme. Por ky është futbolli, herë pas here tregohen limitet. Kështu ishte edhe sot. Ne e humbëm lojën në pjesën e parë”, tha Shaqiri.
Pavarësisht se u eliminua nga ky Botëror, Shaqiri do të mbahet në mend për golin e tij kundër Serbisë, në ndeshjen ku Zvicra mposhti serbët me shifrat 3:2.

Back to top button