Shpërthehet bomba në mënyrë të kontrolluar në objektin e KKZ-së në Veri

Ekipet e deminimit kanë shpërthyer në mënyrë të kontrolluar mjetin shpërthyes që ishte gjetur në objektin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut.
Lajmin e ka bërë të ditur “Radio Kontakt Plus”, duke u bazuar në informatat e marra nga Policia e Kosovës – rajoni veri.
20: 53- Gjendja në veri, Policia e Kosovës: Situata është stabile
Policia e Kosovës është deklaruar lidhur me zhvillimet e fundit dhe situatën në veri.
Policia e Kosovës ka njoftuar se “publikimet e shkrimeve të cilat i referohen deklarimeve nga përfaqësues të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë janë të pavërteta dhe tendencioze”.
“Këto deklarime nga zyra serbe kanë për qëllim dëmtimin dhe krijimin e narrativave përmes të cilave atakohet profesionalizmi, legjitimiteti dhe misioni kushtetues i PK-së për rend dhe ligj në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Grupet kriminale duke kryer veprime të kundërligjshme përmes të cilave cenojnë lirinë dhe sigurinë e qytetarëve tentojnë t’ia atribuojnë këto veprime njësive të rregullta të PK-së të cilat janë duke kryer detyrat e tyre me shumë përgjegjësi. Njësitë policore të rendit publik kanë asistuar zyrtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qëllim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore”, bëhet e ditur në njoftim.
Policia gjithashtu ka njoftuar se “veprimet policore janë kryer në pajtim me ligjin”.
“Të gjitha veprimet policore janë kryer në pajtim me ligjin në ofrimin e asistencës së kërkuar ndaj autoriteteve shtetërore të KQZ-së.  Referuar gjendjes në terren ju njoftojmë se dëmtime të zyrave të komisionit zgjedhor komunal në Mitrovicë Veri janë bërë nga persona/grupe të dyshuar/a të maskuar, të dhunshëm të cilët kanë përdor mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav”, vazhdon njoftimin.
Tutje, sipas PK-së, në bashkëpunim me KFOR-in (njësitet kompetente për deminim-EOD) po bëhen ekzaminimet e duhura në vendin e ngjarjes.
“Janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes, për pastrimin e zonës, përderisa PK-ja është duke punuar me intensitet të lartë për identifikimin e këtyre personave të dyshuar dhe zhvillimin e hetimeve profesionale për sjelljen e kryerësve të këtyre veprave penale para organeve të drejtësisë. Andaj, sigurojmë të gjithë qytetarët se situata e sigurisë në vend përfshirë edhe komunat në veri të vendit është stabile dhe ftojmë të gjithë qytetarët të jenë të qetë, të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, si dhe mos të bien pre e dezinformimit dhe deklarimeve tendencioze dhe të pavërteta”, thuhet në deklaratën e Policisë së Kosovës./21Media

Back to top button