Shaqiri me postim prekës: Ka qenë gjithmonë ëndërr të luaj një herë në Kosovë

(Lajm i përditësuar)

Xherdan Shaqiri ka shfrytëzuar profilin e tij privat në “Instagram” për të treguar se po i plotësohet ëndrra për të luajtur një herë në Kosovën e tij të lindjes.

“Ka qenë gjithmonë një ëndërr të luaj një herë në Kosovën, ku kam lindur. Do të shijoj çdo sekondë”, ka shkruar Shaqiri në “Instagram”.

Zvicra luan sot në udhëtim te Kosova në ndeshjen e Grupit I, e cila pritet të zhvillohet nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Kjo ndeshje do të jetë e madhe për disa futbollistë shqiptarë që luajnë me përfaqësuesen Helvetike.

Njëri nga ta padyshim se është edhe ylli i ekipit zviceran, Shaqiri, i cili ka lindur në qytetin e Gjilanit dhe ka emigruar si fëmijë në Zvicër.


“Fadil Vokrri” nikoqir i ndeshjes së sotme mes Kosovës dhe Zvicrës

Kombëtarja e Kosovës i rikthehet sot aksionit në arenën ndërkombëtare, ku përballë ka kundërshtarin më të vështirë të Grupit I, Zvicrën.

“Dardanët” përballen sot me Zvicrën në “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:45, ndeshje kjo e vlefshme për raundin e pestë të fazës së grupeve të kualifikimeve për në Evropianin Euro 2024.

Nën urdhrat e trajnerit të ri, Primozh Gliha, yjet e Kosovës do të synojnë një fitore tejet të vështirë ndaj Zvicrës së Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit.

Xhaka e Shaqiri zbarkojnë sot në “Fadil Vokrri” duke mbrojtur ngjyrat e “Helvetikëve”.

Kosova renditet e pesta në Grupin I me tre pikë të arkëtuara pas katër ndeshjeve, krahas Zvicrës që kryeson grupin me 10 pikë të arkëtuara.

20:45 Kosova – Zvicra (Stadiumi Fadil Vokrri).

Back to top button