SHBA-ja ndërmjetëson bisedimet e reja mes Armenisë dhe Azerbajxhanit

Shtetet e Bashkuara kanë nisur ndërmjetësimin e bisedimeve treditore të paqes midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Kjo është një përpjekje e re për të zgjidhur konfliktin që shpërthen vazhdimisht mes këtyre dy shteteve.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka nisur ndërmjetësimin e bisedimeve me këshilltarët e ministrive të Jashtme në Uashington.

Kjo është hera e dytë që mbahen bisedime pas disa muajsh.

“Ne vazhdojmë të besojmë se paqja mund të arrihet dhe dialogu i drejtpërdrejt është kyç për zgjidhjen e çështjeve të mbetura dhe arritjen e një paqeje të qëndrueshme”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, para nisjes së bisedimeve. Ai tha se në këto bisedime do të diskutohen edhe çështje “shumë të ndjeshme”.

Rusia historikisht ka qenë ndërmjetësuese e bisedimeve mes dy ish-republikave sovjetike, por SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian kanë qenë mjaft aktivë në kohën kur Moska po vazhdon pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

Armenia vazhdimisht ka akuzuar paqeruajtësit rusë se po dështojnë të mbajnë premtimet për të mbrojtur armenët etnikë bazuar në marrëveshjen e armëpushimit të vitit 2020 që u negociua nga Moska pas gjashtë javësh luftime që lanë të vdekur mijëra persona.

Javën e kaluar, Rusia i bëri thirrje Azerbajxhanit që të lejojë qarkullimin përmes korridorit Laçin që lidh Armeninë me Nagorno-Karabakun, një zonë e banuar kryesisht nga armenët etnikë që kontrollohet nga Jerevani që nga lufta që shpërtheu pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Kryqi i Kuq ndërkombëtar ka thënë se Azerbajxhani ka bllokuar qasjen e autokolonave që dërgojnë ndihma në Karabak, duke rritur shqetësimet se në këtë rajon të shkëputur mund të ketë mungesë të furnizimeve me ushqim dhe ilaçe.

Rusia tha se Azerbajxhani po shkel obligimet e tij duke ndaluar qarkullimin nëpër këtë korridor. Azerbajxhani insiston se civilët dhe autokolonat e ndihmave mund të udhëtojnë nëpër këtë rrugë, por bllokada e krijuar që nga dhjetori i vitit të kaluar, sipas Azerbajxhanit, është shkaktuar nga aktivistët azerbajxhanas që po protestojnë kundër mihjes ilegale./Rel

Back to top button