ShBA-të dhe Kosova nënshkruajnë marrëveshje që hapin mundësitë financiare në Kosovë

 

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett sot nënshkruan një Marrëveshje të re për nxitjen e investimeve (IIA) që ia mundëson Korporatës së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC), bankës për zhvillim të Amerikës për të sjellur gamën e plotë të saj të prodhimeve financiare në Kosovë.

„DFC ka kënaqësinë që Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruan Marrëveshjen për nxitjen e investimeve, që forcon përkushtimin e SHBA-së për shtrirjen e veglave financiare në dispozicion për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, veçanërisht sektorit të saj privatˮ, tha John Jovanovic (Gjon Jovanoviq), zëvendës-nënkryetar i DFC-së dhe drejtor menaxhues për Ballkanin Perëndimor dhe Egjeun. „Ne shohim potencial të madh për DFC-në për të ndihmuar në mobilizimin e investimeve që krijojnë vende pune dhe mbështesin zhvillimin për popullin e Kosovësˮ, shtoi Jovanovic, informoi Ambasada e ShBA-së.

Ligji i SHBA-së kërkon që çdo shtet, përfshirë edhe Kosova, të lidhë marrëveshje për nxitjen e investimeve (IIA) me SHBA-në që DFC-ja të ofrojë gamën e plotë të saj të prodhimeve financiare, që përfshijnë financim të borxhit, investime në ekuitet, sigurim të riskut politik dhe grante për ndihmë teknike.

Nënshkrimi i sotëm, sipas ambasadës, pason vizitën që Adam Boehler (Adam Boler), kryeshefi ekzekutiv i DFC-së, ia bëri Kosovës në shtator. Gjatë asaj vizite, z. Boehler kishte nënshkruar deklaratë të përbashkët me kryeministrin Hoti për zgjerimin e fokusit të investimeve të DFC-së në Kosovë për forcimin e infrastrukturës transportuese, energjisë, teknologjisë dhe industrive të tjera.

“E lansuar në 2020-n, DFC-ja bashkëpunon me sektorin privat për financimin e zgjidhjeve të sfidave më të rënda me të cilat përballet bota në zhvillim sot. Ajo investon në sektorë të ndryshëm përfshirë në sektorin e energjisë, kujdesit shëndetësor, infrastrukturës thelbësore dhe teknologjisë. DFC-ja gjithashtu ofron financim për biznese të vogla dhe gratë sipërmarrëse për të krijuar vende pune në tregjet në zhvillim. Të gjitha investimet e saj iu përmbahen standardeve të larta dhe respektojnë mjedisin, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e punëtorëve.”, u bë e ditur më tutje në komunikatë./21Media

Back to top button