“Shën Nënë Tereza, bija që zgjodhi Zoti për të dëshmuar virtytet e popullit shqiptar”

 

Me rastin e 110-vjetorit të lindjes së Gonxhe Bojaxhiut, është promovuar libri “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë Tereza, një sagë për jetën e shqiptarëve katolik të Shkupit” në autorësinë e Skender Asllanit, Nora Maliqi Zylali dhe Albert Ramaj. Me këtë rast, u tha se Shën Nënë Tereza ishte e zgjedhura e Zotit për të dëshmuar për virtytet e popullit shqiptar.

Drejtori i Institutit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Skender Asani, ka thënë se ky institucion dëshiron që trashëgimia e saj familjare të shndërrohet në aset nacional që të ketë mbrojtje nga ligji dhe shteti.

“Ky ka qenë lajm motivi që ka shërbyer si udhë rrëfim për të përgatitur librin që sapo e kemi botuar me një simbolikë ‘Nga Gonxhe Bojaxhiu deri tek Nënë Tereza, një sagë për jetën e shqiptarëve katolikë të Shkupit’, të cilin edhe po e promovojmë sot këtu në Prishtinë. Në themelimin e këtij departamenti, ne si institut kemi dashur të ngremë nivelin më të lartë të kujdesit institucional ndaj Nën Terezës, duke e shndërruar të gjithë trashëgiminë e saj familjare e shpirtërore në aset nacional që do ta ketë në mbrojtje të ligjit dhe shtetit. Një hap serioz në këtë drejtim posa e hodhëm edhe në Shkup, pikërisht sot kur po kremtojmë 110-vjetorin e nënës sonë të madhe Nënës Terezë”, ka thënë Asani.

Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se Qeveria e Kosovës është e nderuar me këtë botim, sepse përveç fakteve, ky libër reflekton mbi trungun e saj familjar.

“Qeveria e Kosovës është e nderuar me këtë botim, për shkak se ky botim përveç që ngërthen në veti të dhëna faktike, empirike, studime te sakta rreth jetës, veprimtarisë, biografisë së Nënë Terezës, po ashtu reflekton edhe mbi trungun familjar, shkollimin e saj, babin e saj që e vërteton saktë, një të vërtetë që ne e dimë që një shqiptare që na bënë krenar të gjithëve me punën e saj, me angazhimin e saj i ka bërë nder kombit, vendit, vendlindjes dhe të gjithë neve”, ka thënë Tahiri.

E, biografi i Nënës Terezë, Don Lush Gjergji, ka thënë se kjo ngjarje nderon familjen e Nënës Terezë, nderon shkollën shqipe, por nderon të gjithë shqiptarët.

Ai ka thënë se Gonxhja është bijë e jona, të cilën Zoti e zgjodhi për të dëshmuar vlerat dhe virtytet e popullit tonë.

“Sot ngjarja e Shkupit dhe ngjarja këtu gjithsesi në rend të parë e nderon familjen Bojaxhiu, babën Kolë dhe nënën Drane, e nderon famullinë e zemrës së Krishtit në Shkup e cila e përcolli hap pas hapi, e qiti në dritë dhe e rriti Gonxhen tonë, nderon shkollën shqipe pranë katedrales zemrës së Krishtit, ku ajo i kreu ditët e para të mësimit fillor, e mbi të gjitha na nderon të gjithë neve kudo që jemi sepse Gonxhja jonë është një bijë, është një motër dhe është një nënë, të cilën Zoti e zgjodhi për të dëshmuar lashtësinë autoktoninë, martirizimin, krishterimin tonë të lashtë ilir, arbëror e shqiptar dhe për të dëshmuar vlerat dhe virtytet e popullit tonë i cili në shpirt e në zemër e ka bamirësinë, mikpritjen e bujarinë. Kush më mirë se Nëna Terezë e ka dëshmuar këtë traditë, ‘bukë, kripë e zemër dhe shpija është e Zotit dhe e mysafirit’, dhe ‘s’ka shtëpi pa pleq dhe fëmijë dhe mjerë ajo shtëpi e cila nuk ka pleq dhe fëmijë’”, ka thënë Gjergji.

Don Lush Gjergji shpreson se libri do t’i ndihmojë njerëzit që ta kuptojnë bërthamën dhe kontekstin në të cilin lindi, u rrit dhe u zhvillua Gonxhe Bojaxhiu. Ai tha se Nëna Terezë është një shqiptare e pavdekshme.

Back to top button