Shënohet Dita Kombëtare e Zvicrës në Prishtinë

Pasditen e sotme në Prishtinë u shënua Dita kombëtare e Zvicrës. Kjo festë ka bërë bashkë shumë përfaqësues të ambasadave në Kosovë, pjesëtarë të kabinetit qeveritar e organizata joqeveritare.
Në përvjetorin e 731-të të Zvicrës, kryeministri Albin Kurti deklaroi se nga ky shtet mundohen të marrin mësim për përkushtimin e popullit për pavarësi, demokraci dhe të drejta të njeriut.
“Mundohemi të marrim mësim nga përkushtimi i popullit tuaj për pavarësi, demokraci dhe të drejta të njeriut. Në këto kohë trazirash në Evropë, pas agresionit brutal rus ndaj Ukrainës, si dhe gjatë luftës në Kosovë, ne e admirojmë me respekt qëndrimin parimor e të palëkundur të neutralitetit aktiv të konfederatës së Zvicrës në mbështetje të popujve të shtypur. Marrëdhëniet politike dhe diplomatike ndërmjet Konfederatës Helvetike dhe Kosovës janë të reja, sidoqoftë, lidhjet tona shoqërore e miqësore datojnë gjashtë dekada më parë kur punëtorët e parë nga Kosova iu bashkuan tregut zviceran të punës. Që nga atëherë e deri më tani, janë të rralla ato familje kosovare që nuk kanë lidhje me Zvicrën”, ka deklaruar Kurti.
Po ashtu, shefi i ekzekutivit është shprehur falënderues për solidaritetin e shtetit zviceran në kohët më të vështira për Kosovën.
“Kurrë nuk do ta harrojmë dhe do të jemi përherë falënderues ndaj solidaritetit të popullit dhe shtetit zviceran në kohën më të vështirë për popullin e Kosovës, qoftë përmes ndihmës së drejtpërdrejtë, qoftë nëpërmjet strehimit të dhjetëra- mijëra refugjatëve gjatë luftës së viteve 1998-99, si dhe me veprime diplomatike, ku ishte njëra nga shtetet e para që njohu pavarësinë e vendit tonë. Jemi mirënjohës për ndihmën e Zvicrës në përmirësimin e ekonomisë dhe mirëqenies në Kosovë. Gjatë gjithë këtyre dekadave keni qenë shumë bujar ndaj vendit tonë”, ka thënë ai.
Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly ka përmendur raportet e mira me Kosovën, ku sipas tij ka shumë projekte të përbashkëta bashkëpunimi.
“Shumë respekt për Republikën e Kosovës, për një periudhë kaq të shkurtë, ajo që keni arritur, zotëri kryeministër, ju jeni i pari duhet uruar për atë qe keni arritur. Kanë kaluar vetëm disa vite dhe do të jetë proces i gjatë, shpresoj që mos të zgjas, dhe jam shumë i sigurt që nuk do të zgjas qindra vjet si në rastin e Zvicrës. Ju uroj çdo të mirë, njëherësh dua të theksoj bashkëpunimin e ngushtë që kemi ndërmjet vendeve, ku shembull e kemi kombëtaren e Zvicrës në futboll, të cilën mund ta quaj ekip zvicerano-kosovar apo zvicerano-maqedonase. Është edhe bashkëpunimi ekonomik, ka shumë investime, shumë bashkëkombës tuaj kanë investuar në Zvicër duke krijuar vende pune. Kemi shumë projekte bashkëpunimi, dhe kjo është shumë gjë e mirë”, është shprehur ai.
Ndryshe, zviceranët sot festojnë ditën kombëtare të tyre. 1 Gushti përkujton krijimin e Konfederatës Zvicerane që ne njohim sot. Në vitin 1291 tri kantone malore u bashkuan dhe firmosën Kartën Federale e cila ishte baza e Konfederatës së sotme Zvicerane me 26 kantone.
Megjithatë, kjo kartë u zbulua në vitin 1758 dhe Qeveria zvicerane e konsideroi zyrtarisht atë si dokument mbi të cilin ngrihej shteti i tyre nga fundi i viteve 1800.
Për herë të parë, 1 Gushti u festua në vitin 1891, ndërsa nga viti 1899 u bë festë vjetore.
Në vitin 1993, zviceranët votuan në masë që 1 Gushti të jetë festë kombëtare dhe kështu nga viti pasardhës, pra 1994, ajo u bë edhe ditë pushimi.
1 Gushti festohet brenda dhe jashtë Zvicrës me fenerë letre, zjarre dhe fishekzjarrë.

Back to top button