Shënohet rënie e numrit të aksidenteve me fatalitet, shqetësuese vetaksidentet

Sivjet janë nëntë persona më pak që kanë humbur jetën në aksidente rrugore

Numri i aksidenteve me fatalitet në Kosovë ka shënuar rënie krahasuar me periudhën janar-tetor të vitit 2021, sipas statistikave të policisë, por në rritje është numri i aksidenteve me lëndime ku sivjet është rritur në 3.71%. Në tryezën ku u diskutua tema “Drejtësia për aksidentet në Kosovë” u theksua si shqetësuese numri i madh i aksidenteve me një veturë derisa u bë thirrje për institucionet e drejtësisë t’i trajtojnë me prioritet lëndët që kanë të bëjnë me aksidentet rrugore.
Drejtori i divizionit të Trafikut Rrugor në Policinë e Kosovës, Jeton Rexhepi derisa ka krahasuar periudhën janar-tetor me vitin 2021, ka thënë se sivjet janë nëntë persona më pak që kanë humbur jetën në aksidente rrugore.
“Në Kosovë deri më tani jetën e kanë humbur 2816, me siguri që vet kjo ditë në vëmendje ka drejtësinë që nënkupton zbatim të ligjeve, hetim të plotë të aksidenteve qoftë ato me lëndime apo edhe me vdekje…Sa i përket krahasimit të aksidenteve periudhën janar-tetor 2021 me periudhën janar-tetor 2022 mund të themi që numri i aksidenteve me fatalitet dhe numri i personave të vdekur ka shënuar rënie, kemi nëntë persona më pak të vdekur apo 9.28%. Numri i aksidenteve me dëme ka shënuar rënie për 417 raste apo 3.73%, numri i aksidenteve të përgjithshëm i aksidenteve është në rënie për 193 apo 1.10%, përjashtimisht është në rritje numri i aksidenteve me lëndime për 3.71%”. Të gjitha aktivitetet e Policisë së Kosovës për këtë periudhë kohore janë në rritje për 40.83% që nënkupton edhe masa ndaj kundërvajtësve në trafikun rrugor”, ka thënë Rexhepi.
Por sipas tij, shqetësuese mbesin aksidentet me një veturë ku sipas tij këto janë rastet më të shpeshta këtë vit.
“Në të gjitha këto aksidente, nëse flasim se si kanë ndodhur këto aksidente, numri më i madh i tyre ka ndodhur, aksidente me një automjet apo vet-aksidente të quajtura. 28 raste i kemi apo 35.8% kanë ndodhur vet-aksident, 21 raste apo 27% janë veturë-këmbësorë, 14 raste apo 18% janë veturë-veturë, kjo është me rendësi kur flasim veturë-veturë, sa i përket masave nënkupton që aksidentet veturë-veturë kanë arritur të kenë një rënie të aksidenteve me pasoja fatale, ndërsa është shqetësuese rritja e aksidenteve me një veturë, apo veprimet e shoferëve në rrugë karshi të gjitha atyre që paraqiten”, ka thënë ai.
Në shënimin ditës botërore të kujtimit për viktimat në trafikun rrugor, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka ftuar institucionet e drejtësisë që t’i trajtojnë me prioritet lëndët që kanë të bëjnë me aksidentet rrugore.
“Të gjitha lëndët, të gjitha rastet që kanë të bëjnë me çështjet e aksidenteve rrugore t’i trajtojnë me prioritet më të lartë, unë e di se në përgjithësi çalojmë në këtë aspekt, jo vetëm te rastet e aksidenteve të trafikut por në përgjithësi janë grumbulluar për vite të tëra shumë lëndë në gjykata dhe prokurori, po hasim në vështirësi për t’i trajtuar ato por besoj që edhe Ministria e Drejtësisë duhet ta merr shumë seriozisht që të ndikojë të institucionet e tjera të drejtësisë që këto lëndë t’i trajtojnë me prioritet sa më të madh”, ka thënë Durmishi.
Ai ka thënë se me buxhetin e vitit 2023 kanë paraparë mjete financiare për sigurinë rrugore në mënyrë që sipas tij të ketë sa më pak aksidente në trafikun rrugor.
Ai ka thënë se këtë vit kanë nënshkruar gjashtë kontrata të sinjalistikës që përfshijnë të gjithë territorin e Kosovës që sipas tij do të ndikojnë dukshëm në përmirësimin e gjendjes në rrugët e Kosovës.
Ndërsa Muhamet Krasniqi, profesor në Akademinë Tempulli, ka deklaruar se është shqetësues numri i aksidenteve me një veturë për çka ka thënë se duhet shikuar se si po bëhet vlerësimi i kandidatëve që pajisen me patent shofer.
“Është një tregues i jashtëzakonshëm për zëvendësministrin, për drejtorin e departamentit të Patent Shoferit, të shikojnë pak se çka po bëhet me vlerësimin e kandidatëve për shkak se ata nuk po dinë me vozitë dhe kanë bërë aksident në shumicën e rasteve”, ka thënë ai.

Back to top button