Sherifi: Nuk po e bllokoni qeverinë, por njerëzit që kanë pension 75 euro

Sipas Sherifit, po bllokohen njerëzit me ndihmë sociale prej 60 euro

Shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi në seancën plenare, derisa po diskutohet për zgjatjen e buxhetit tha se në këtë formë nuk po bllokohet qeveria, por qytetarët e Kosovës.

Ai tha se kështu po bllokohen njerëzit që kanë nevojë për pensionin që e marrin 75 euro, apo ndihmën sociale prej 60 euro.

“Nuk mund të paguhet asnjë pagesë, nuk mund të bëhet asnjë pagesë, pra bëhet fjalë për pensionistë, bëhet fjalë për ndihma sociale, bëhet fjalë për pagat dhe njerëzit të cilët kanë nevoja të ndryshme shëndetësore. Pra, nuk po e bllokoni qeverinë, po i bllokoni njerëzit të cilët kanë nevojë me i marr këto pak mjete për muajin shkurt. Tash, vendosni ju nëse dëshironi të bllokoni edhe ato 75 euro të pensionistëve, apo ato 60 euro ndihma sociale”, tha ai.

Shërbyesit civilë, mësimdhënësit e shkollave fillore, të mesme dhe profesorët e universiteteve si dhe së fundmi edhe punëtorët e pylltarisë janë në grevë. Përmes grevës ata po kërkojnë rritjen e koeficientit të pagave.

Back to top button