Shiten biletat e fluturimeve për të ikur nga Rusia, pas thirrjes së Putinit

Biletat e fluturimeve njëdrejtimshe nga Rusia po shiten me shpejtësi, kjo pasi presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi thirrjen e menjëhershme të 300 mijë rezervistëve.
Njoftimi i Putinit, i cili është bërë përmes një fjalimi televiziv sot në mëngjes, ngriti frikën se disa burra në moshë për ushtri nuk do t’iu lejohet të largohen nga Rusia.
Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha se thirrja do të kufizohej për ata me përvojë si ushtarë profesionistë ndërsa studentët dhe ata që kishin shërbyer vetëm si rekrutë nuk do të thirreshin, transmeton rtv21.tv.
Fluturimet direkte nga Moska në Stamboll në Turqi dhe Jerevani në Armeni – të dyja destinacionet që lejojnë rusët të hyjnë pa vizë – janë shitur për sot.
Edhe shumica e rrugëve me ndalesa, duke përfshirë ato nga Moska në Tbilisi në Gjeorgji, ishin gjithashtu të padisponueshme, ndërsa fluturimet më të lira nga kryeqyteti në Dubai kushtonin më shumë se 300,000 rubla (4,945 dollarë) – rreth pesë herë më shumë se paga mesatare mujore e Rusisë.
Të dhënat e Google Trends treguan një rritje të kërkimeve për “Aviasales”, websajti më i popullarizuar i Rusisë për blerjen e biletave./21Media

Back to top button