Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim mohon se ka lokalizuar trupin e mërgimtarit në Ujman

Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim ka reaguar ndaj disa informatave që po qarkullojnë në rrjetet sociale lidhur me lokalizimin e trupit të mërgimtarit që dyshohet se u mbyt në liqenin e Ujmanit.
Përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook nga kjo shoqatë thuhet se operacionet e kërkimit janë ende duke vazhduar dhe se çdo informacion zyrtar do të bëhet publik vetëm nga institucionet kompetente dhe ekipet e përfshira në terren.
“Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim njofton opinionin publik se informacionet që po qarkullojnë në rrjete sociale lidhur me lokalizimin e trupit të personit të mbytur në Ujman janë të pabazuara dhe pa fakte.
Kërkimet ende janë në vazhdim dhe çdo informacion zyrtar do të publikohet vetëm nga institucionet përkatëse dhe nga ekipet e angazhuara në terren. Lusim qytetarët dhe mediat që të mos shpërndajnë lajme të pavërteta që vetëm sa krijojnë konfuzion dhe pengojnë operacionet e kërkim-shpëtimit”, thuhet në njoftim.