Shpallen rezultatet në Serbi – Kamberi deputet

Sot, Komisioni Republikan Zgjedhor në Beograd ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 3 prillit 2022 në Serbi. Sipas këtyre rezultateve, shqiptarët do të kenë edhe në këtë mandat një përfaqësues – Shaip Kamberin.
Kamberi përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se si Koalicion i Shqiptarëve të Luginës janë në komunikim me ish-partnerin e tyre të legjislacionit të kaluar, Partinë e Aksionit Demokratik (SDA) nga Sanxhaku, për ta vazhduar bashkëpunimin dhe për ta zgjeruar me partnerë të tjerë të mundshëm drejt themelimit të një Grupi Parlamentar.
“Ditëve në vijim do t’i paraqesim kërkesat tona konkrete për Qeverinë e re të Serbisë. Siç jemi zotuar, jo për t’u bërë pjesë e koalicionit të ri qeveritar, por si parakusht për ta votuar ose jo kabinetin e ri qeveritar. Këto kërkesa do t’i bëjmë publike para mbajtjes së seancës plenare. Themelimi i Kuvendit dhe Qeverisë së re të Serbisë duhet të shoqërohet me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, në përputhje me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian. Ky vendim është në interes të paqes, demokratizimit, zhvillimit e stabilitetit të vendit dhe rajonit”, ka shkruar Kambëri.
Partia kryesore në pushtet, Partia Progresiste e Serbisë (SNS) e Presidentit Vuçiq do të ketë 120 mandate nga gjithsej 250. Partneri i saj tradicional, Partia Socialiste e Serbisë (SPS) e Ivica Daçiqit – 31 mandate. Subjektet me vokacion të hapur të ekstremit të djathtë tashmë kanë bashkërisht 35 deputetë. Listat që garuan si pakica kombëtare vetëm 13 deputetë./21Media

Back to top button