Shpërthim i fuqishëm në Paris, 16 të lënduar

(Lajm i përditësuar)

Të paktën 16 persona janë lënduar, shtatë prej tyre në gjendje të rëndë, pas një shpërthimi të madh në qendër të Parisit.

Shpërthimi ndodhi në një ndërtesë pranë kishës Val de Grâce në Rue Saint-Jacques në lagjen e pestë të kryeqytetit francez.

Një ndërtesë pranë kishës u përfshi nga flakët dhe pjesa më e madhe e saj duket se është shembur.

Sipas dëshmitarëve të cituar nga mediat franceze, para shpërthimit kishte një erë të fortë gazi.

Ndërkohë, prokurorët francezë thanë se shkaku i shpërthimit nuk ishte përcaktuar.

Ndërtesa e goditur nga shpërthimi strehonte një shkollë ndërkombëtare të projektimit dhe selinë e sistemit arsimor katolik.

Zona është rrethuar nga policia dhe një përpjekje e madhe shpëtimi është duke u zhvilluar, mes frikës se mund të ketë më shumë viktima të mundshme nën rrënoja.

Kryetarja e bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo është në vendngjarje, ndërsa ministri i Brendshëm Gerald Darmanin ka paralajmëruar njerëzit që të shmangin zonën.

Zjarri që shpërtheu si pasojë e shpërthimit është nën kontroll, u tha gazetarëve shefi i policisë së Parisit, Laurent Nunez.

Zona ku ndodhi shpërthimi shkon në jug nga lagjja Latine në zonën e Bregut të Majtë të Parisit, e cila është e njohur për turistët dhe e njohur për popullsinë e saj studentore.


Shpërthim i fuqishëm në Paris, katër persona në gjendje kritike

Katër persona janë në gjendje kritike pas një shpërthimi në qendër të Parisit.

Shpërthimi ndodhi në Rue Saint-Jacques në lagjen e pestë të kryeqytetit francez, përcjell rtv21.tv.

Fasada e një ndërtese ka rënë në rrugë si pasojë e shpërthimit dhe disa ndërtesa kanë marrë flakë, tregojnë pamjet në rrjetet sociale.

Forca të shumta policie dhe zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje./21Media

Back to top button