Shqipëria do të vazhdojë të furnizohet me drithëra nga Serbia
Kompanitë shqiptare do të vazhdojnë të furnizohen me drithëra nga Serbia sipas kontratave të lidhura. Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, është takuar në Beograd me homologun e saj serb.
Pas takimit ajo tha se kontratat e lidhura për importin dhe eksportin e produkteve të ndryshme përfshirë atë të misrit apo të grurit do të vijojnë normalisht.
“Në një takim me ministrin Nedimovic në Beograd patëm mundësinë të diskutojmë edhe njëherë marrëveshjen e Ballkanit të Hapur edhe në kushte në të cilat gjendemi tani dhe për të siguruar që kjo marrëveshje funksionon. Kontratat e lidhura tashmë për importin dhe eksportin e produkteve të ndryshme përfshirë atë të misrit apo të grurit do të vijojnë normalisht. Ne garantuam njëri- tjetrin për një bashkëveprim dhe bashkërendim institucional të mirëkuptuar dhe është shumë e rëndësishme që kompanitë shqiptare do të kenë mundësi që kësaj jave do të mund të vijojnë biznesin e tyre normalisht për importet e grurit dhe misit. Ky është një shembull i mënyrës se si marrëveshja e Ballkanit të Hapur krijon lehtësira edhe në periudha shumë të vështira, për arsye të luftës”, tha ministrja Krifca.
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq të hënën ka paralajmëruar përjashtimin e Shqipërisë nga ndalimi i furnizimeve me miell pas vendimit të marrë prej tij pak ditë më parë./21Media