Shqipëria e mposht dhe e tejkalon Kosovën në renditjen e grupit F

Pas humbjes nga Polonia, Kombëtarja e Kosovës në futboll në kategorinë e femrave ka pësuar një tjetër disfatë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
“Dardanet” të martën janë mposhtur nga Shqipëria me rezultat 3-1 në kuadër të kualifikimeve për në Kampionatin Botëror të vitit 2023.
Kuqezinjet e shënuan golin e parë në minutën e 19’ të ndeshjes dhe realizuese e golit ishte Maksuti, kurse rezultati u dyfishua në minutën e 45’ kur për 2-0 realizoi Doci, por Kosova reagoi duke e ngushtuar epërsinë pas vetëm dy minutave me golin e Kaltrina Biqkajt.
Në pjesën e dytë u zhvillua një ndeshje më dinamike me Kosovën që kërkonte golin e barazimit, por shpresa e tyre mori fund kur Krasniqi e thelloi epërsinë e Shqipërisë në 3-1.
Me këtë fitore, Shqipëria e kalon Kosovën në grupin F dhe ato tani kanë shtatë pikë në vendin e katërt kundrejt katër sa i ka Kosova në vendin e pestë.

Back to top button