Shqipëria feston Ditën e Çlirimit

Shqiptarët sot festojnë 29 Nëntorin, Ditën e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë. Mijëra dëshmorë do të kujtohen si çlirimtarët e vendit pasi ata sakrifikuan gjithçka për lirinë e Shqipërisë.
Politika shqiptare e feston sërish e ndarë Ditën e Çlirimit të vendit, edhe pse 29 Nëntori është data zyrtare e kujtimit të kësaj dite.
Të majtët respektojnë 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë dhe 29 Nëntorin si Ditën e Çlirimit, ndërkohë që të djathtët i përkujtojnë të dy festat më 28 Nëntor.
Debati për Festën e Çlirimit mbetet ende i ndezur në politikën shqiptare, ku e djathta ndjek të njëjtin model si gjatë mandatit të saj të parë qeverisës, kur ndryshoi datën e Çlirimit, nga 29 Nëntori më 28 Nëntor, pasi sipas saj, kjo e fundit ishte zgjedhur nga regjimi komunist duke falsifikuar historinë.
Por, 29 Nëntori e fitoi sërish statusin e Ditës së Çlirimit kur e majta kishte ardhur në pushtet, në verën e vitit 1997, kur me një ligj të posaçëm është kthyer në festë zyrtare.
Shqipëria në Luftën e Dytë Botërore ka qenë një nga vendet e pushtuara nga blloku nazifashist. Në fund të nëntorit 1944, pas çlirimit të Tiranës dhe shumë qyteteve të tjera, më 29 nëntor ishte arritur që të çlirohej edhe Shkodra që njihet në histori si qyteti i fundit që ka fituar betejën me armikun.

Back to top button