Shtëpia e Bardhë mirëpret marrëveshjen e grurit, paralajmëron se zbatimi i saj do t’i kërkojë Rusisë t’i përmbahet angazhimeve

Shtëpia e Bardhë deklaroi se e mirëpret marrëveshjen e së premtes midis Rusisë, Ukrainës dhe Turqisë për eksportimin e grurit nga Ukraina, por paralajmëroi se zbatimi i marrëveshjes do të kërkonte respektimin e angazhimeve nga të gjitha palët.
Koordinatori i komunikimit i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby falënderoi sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe presidentin turk për ndihmën e ndërmjetësimit të marrëveshjes dhe tha se kjo mund të ndihmojë në zbutjen e potencialit për mungesë ushqimi në mbarë botën.
Por, ai tha se “suksesi, sigurisht, do të varet nga pajtueshmëria e Rusisë me këtë marrëveshje.”
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se marrëveshja është “një hap pozitiv drejt adresimit të ndikimeve të gjera të luftës së Rusisë”, por tha se Rusia duhet t’i japë fund luftës në mënyrë që të eliminojë rrezikun e një katastrofe globale të sigurisë ushqimore.
“Komuniteti ndërkombëtar tani duhet ta mbajë Rusinë përgjegjëse për këtë marrëveshje, duke i dhënë fund bllokadës së saj efektive të porteve të Ukrainës dhe duke siguruar që mallrat bujqësore ukrainase – duke përfshirë drithërat, farat vajore dhe vajin e lulediellit – të arrijnë në tregjet botërore”, tha ai, shkruan CNN
“Të uriturit e botës nuk mund të presin dhe ne presim që zbatimi i marrëveshjes së sotme të fillojë me shpejtësi dhe të vazhdojë pa ndërprerje apo ndërhyrje. Përfundimi i bllokadës së Rusisë ndaj eksporteve bujqësore të Ukrainës përmes Detit të Zi është, si rrjedhim, vetëm një nga hapat e shumtë që Rusia duhet të ndërmarrë për të siguruar që ushqimi nga Ukraina të arrijë në tregjet globale”, u shpreh Blinken.
Ai shtoi se siguria globale e ushqimit do të mbetet në rrezik për aq kohë sa Rusia vazhdon agresionin e saj të pajustifikuar dhe brutal kundër Ukrainës./21Media

Back to top button