Shtëpia e Bardhë prezanton planin për vaksinim kundër lisë së majmunit

Shtëpia e Bardhë po planifikon të dërgojë mijëra vaksina kundër lisë së majmunit në shtete si pjesë e një fushate për të ndalur shpërthimin e virusit.
Zyrtarët thanë se po punojnë gjithashtu për të rritur testimin dhe kanë zgjeruar grupin e njerëzve që këshillohen të vaksinohen.
Virusi, i identifikuar filimisht vetëm në Afrikë, është përhapur në SHBA dhe Evropë me shpejtësi të habitshme.
Deri më tani në SHBA janë regjistruar 306 raste dhe asnjë vdekje.
Zyrtarët shëndetësorë amerikanë paralajmëruan në një konferencë për media të martën se numri i vërtetë i rasteve është ndoshta më i lartë.
Në botë janë regjistruar mbi 4,700 raste në 49 vende që nga muaji i kaluar.
Më parë, vaksinat u ofroheshin vetëm njerëzve që kanë pasur një ekspozim të njohur.
Grupi i njerëzve që tani këshillohen për vaksinim përfshin burra që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra dhe që së fundmi kanë kryer marrëdhënie seksuale ose kanë qenë në tubime në qytete ku janë identifikuar raste.
Shumica e rasteve deri më tani në SHBA kanë qenë te meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj, por zyrtarët theksuan se çdokush mund të infektohet.
Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore do të fillojë shpërndarjen e 56,000 dozave të vaksinës Jynneos me dy doza, e cila prodhohet nga një kompani daneze e quajtur Bavarian Nordic, thanë zyrtarët.
Megjithatë, SHBA ka vetëm 64,000 doza të Jynneos në stokun e saj dhe ka bërë një porosi për më shumë. Zyrtarët thanë se planifikojnë të vënë në dispozicion 1.25 milionë doza gjatë gjithë verës dhe vjeshtës, shkruan BBC, përcjell rtv21.tv
Një vaksinë më e vjetër kundër lisë, e quajtur ACAM2000, mund të përdoret gjithashtu nëse furnizimet e Jynneos mbarojnë, por zyrtarët thanë se ajo mbart një rrezik më të madh të komplikimeve.
Jynneos është miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave dhe mund të ndalojë infeksionin pasi një person është tashmë i ekspozuar ndaj virusit.
Lija e majmunëve nuk përhapet lehtë midis njerëzve, por mund të transmetohet përmes kontaktit të ngushtë me lëkurën, rrobat, shtratin dhe peshqirët.
Infeksioni mund të kalojë nga 14 deri në 21 ditë./21Media

Back to top button