Shteti i parë në Evropë që heq të gjitha kufizimet kundër COVID-19
Danimarka këtë të martë bëhet vendi i parë i Bashkimit Evropian që heq të gjitha kufizimet kundër Covid-19, pavarësisht numrit rekord të rasteve, duke u mbështetur në shkallën e lartë të vaksinimit për të përballuar variantin Omicron.
Pas një përpjekjeje të parë për të hequr të gjitha kufizimet e tij midis shtatorit dhe nëntorit, vendi skandinav po heq sërish maskat, lejet për Covid dhe orët e kufizuara të hapjes për baret dhe restorantet, transmeton rtv21.tv.
Klubet e natës rihapen të martën, kur kufizimet në numrin e njerëzve të lejuar në tubime të brendshme gjithashtu marrin fund.
Vetëm disa kufizime mbeten në fuqi në kufijtë e vendit, për udhëtarët e pavaksinuar që vijnë nga vendet jashtë Shengenit.
Lehtësimi vjen pasi Danimarka regjistron rreth 40,000-50,000 raste të reja me Covid në ditë.
Më shumë se 60 përqind e danezëve kanë marrë një dozë të tretë një muaj përpara planit të autoriteteve shëndetësore krahasuar me një mesatare të BE-së prej pak më pak se 45 përqind.
Dy vjet pas shpërthimit të Covid-19, strategjia daneze gëzon mbështetje të gjerë në vend.
Në një sondazh të publikuar të hënën nga e përditshmja Politiken, 64 përqind e danezëve të anketuar thanë se kishin besim në politikën e qeverisë për Covid-in./21Media