Si e ka kaluar kufirin autobusi pa licencë? Drejtoria Doganore: Nga mëngjesi po kryejmë kontroll

Pronari i kompanisë “Besa Trans” nuk ka poseduar licencë për autobusin e djegur dhe i njëjti nuk është në bazën elektronike të Ministrisë për Transport dhe Lidhje. Në lidhje me këtë, informoi Ministri për Transport dhe Lidhje, Bllagoj Boçvarski, i cili tha se transportuesi ka pasur dokumentacion të rregullt për katër automjete tjera, certifikata teknike dhe listë të vozitësve, por jo edhe licencë për autobusin, i cili u dogj në Bullgari. Ai theksoi se çdo automjet duhet të ketë licencë të veçantë dhe certifikatë të licencës.
“Konstatuam se automjeti nuk është paraqitur nga transportuesi në përputhje me nenin 13 paragrafin 5 të Ligjit për transport në trafikun rrugor dhe andaj nuk është në bazën elektronike të Ministrisë për transport dhe lidhje. Në përputhje me këtë nen të Ligjit, transportuesi është i obliguar që jo më vonë se 15 ditë të informojë Ministrinë për të gjithë ndryshimet, në aspekt të përmbushjes së kushteve. Kjo do të thotë lajmërim dhe ç ‘lajmërim i automjetit dhe vozitësit”, tha Boçvarski.
Parashtrohet pyetja se si ka arritur që autobus pa licencë të kalojë së pari në kufirin në Maqedoninë e Veriut, e më pas edhe në kufirin bullgar dhe atë turk? Nga Drejtoria e Doganave të RMV pa përgjigje konkrete.
“Nga herët në mëngjes Sektori për përgjegjësi profesionale në Drejtorinë doganore është në PK “Deve Bair” me qëllim që në mënyrë të detajuar të kryhet kontroll në veprimin e transportuesit dhe nëpunësve doganor, në përputhje me kompetencat e parapara me Ligjin për transport në trafikun rrugor në ditën e daljes së këtij autobusi, si dhe veprimi në periudhën paraprake. Për rezultatet nga kontrolli, Drejtoria doganore do të informojë në kohë”, thanë nga Drejtoria Doganore.
Ministria për Transport dhe Lidhje ka filluar procedurë për shfuqizimin e licencës për punë të transportuesit “Besa Trans”. Kompetent për rregullimin e transportit ndërkombëtarë është Inspektorati për transport, i cili sot po kryen mbikëqyrje të çrregullt inspektuese, shkruan TV21.

Një autobus i kompanisë “Besa trans” nga Shkupi, me udhëtarë kryesisht shqiptarë, dje në mëngjes është rrokullisur dhe ka marrë flakë në Bullgari, teksa ka qenë duke kthyer në vend turistë që kanë qenë për fundjavë në Stamboll të Turqisë. Në aksident, jetën e kanë humbur 46 persona dhe janë lënduar 7 të tjerë. Në mesin e viktimave janë edhe 12 fëmijë./21Media

Back to top button