Si të ruhet qetësia pas tërmetit, tregon psikologia Tërnava

Edukimi psikologjik mbi fenomenet është zgjidhja adekuate që të mos krijohet panik

Psikologia Ida Tërnava sot është e ftuar në kuadër të emisionit “1 Kafe prej shpisë”, me të cilën po diskutohet rreth gjendjes psikologjike të njerëzve pas tërmetit në Shqipëri.

Duke diskutuar për këtë temë, Tërnava tha që te ne fatkeqësisht shumë pak investohet në edukim psikologjik, gjë e cila është shumë e rëndësishme jo vetëm për katastrofa, por edhe për fenomene të tjera që ndodhin.

Sipas saj, edukimi i mirëfillt psikologjik mbi fenomenet, mbi reaksionet tona karshi fenomeneve është zgjidhja adekuate që të mos krijohet panik. Të jesh i qetë karshi një situate, siç është rasti i tërmeteve, sipas psikologes është mjaft e vështirë dhe është reaksion normal.

Tërnava tha se në rast se ka reaksion me atak paniku dhe ai vazhdon të përsëritet në vazhdimësi, atëherë ndihma duhet të kërkohet. Kjo pasiqë, sipas saj, nëse kjo problematikë trajtohet në fazën akute, atëherë dëmi emocional është më i vogël.

Sipas psikologes, tërmeti mund të jetë faktor shtytës për paraqitjen e problemeve të tjera në shëndet, siç është depresioni. Psikologia Tërnava shtoi se dëmet emocionale nuk mund të largohen lehtë. “Është një sfidë që na pret bashkarisht me tejkalu”, shtoi ajo, shkruan rtv21.tv

Si pasojë e tërmetit të ditës së marte, që ka goditur Shqipërinë kanë vdekur 51 persona, ndërsa janë lënduar rreth 900 persona. Në mesin e viktimave ishin edhe dy vëllezër nga fshati Livoç i Gjilanit./21Media

Back to top button