Si të veprohet me të miturin me pengesa në të folur?

Të folurit është një formë e veçantë dhe e përsosur e komunikimit, e natyrshme vetëm tek njerëzit që i dallon ata nga qeniet e tjera të gjalla. Në procesin e komunikimit verbal njerëzit shkëmbejnë mendime dhe ndërveprojnë me njëri-tjetrin.
Logopedia Kaltrina Hashani për portalin rtv21.tv tha se të folurit e vonuar shfaqet kur një fëmijë nuk zhvillon gjuhën dhe të folurit në normën e pritur sipas moshës së caktuar. Ajo përkufizohet si mosarritje e aftësive folëse të ngjashme me shumicën prej bashkëmoshatarëve
Por, sipas logopedës si bëhet trajtimi fillestar?
“Zakonisht fëmijët me vonesa në të folur dhe vonesa gjuhësore referohen nga prindërit, pediatri, apo nga edukatoret për vlerësim të gjithëmbarshëm të gjuhës dhe komunikimit tek specialistët e gjuhës dhe të folurit apo logopedët. Logopedët janë ata që përmes testeve të ndryshme vlerësojnë se:
Çfarë fëmija kupton (gjuha receptive),
Çfarë fëmija thotë (gjuha ekspresive),
Nëse fëmija përpiqet të komunikojë në mënyra të tjera, për shembull me gjuhën e shenjave,
Artikulimin i tingujve dhe qartësinë në të folur,
Lëvizshmërinë e muskujve oral (gojën, gjuhën, qiellzë, dhëmbët) etj.
Gjithashtu, në shumicën e rasteve kërkohet dhe vlerësim dhe bashkëpunim multidiciplinar si për shembull, vlerësim neurologjik, vlerësim psikologjik, vlerësim audiologjik etj”, tha Hashani për portalin rtv21.tv
Çfarë të bëhet në rastet kur një i mitur deri në 16-17 vjeç nuk ka marrë trajtimin e duhur dhe vazhdon të kenë probleme të shumta në të folur?
“Egzistojnë raste që disa të mitur për shkak të shumë rrethanave si p.sh njohuri e mangët rreth çrregullimeve të gjuhës dhe të folurit tek prindërit, kushteve të dobëta ekonomike etj, nuk kanë marrë trajtimet e duhura në kohë të duhur. Tek ta mund të paraqiten ende vështirësi në artikulimin e saktë të tingujve, agramatizëm etj, por nuk është vonë asnjëherë që të paraqiten tek specialistët e fushës dhe të kërkojnë ndihmë, në mënyrë që të krijohet një plan i vazhdueshëm i punës për progres tek ta”, tha Hashani.
Si ndikon në shëndetin mendor, veçanërisht te fëmijët të folurit e vonuar?
“Vonesa e gjuhës dhe të folurit mund të jetë frustruse për prindërit dhe fëmijët. Një fëmijë që nuk mund të shprehë mendimet dhe emocionet e tij ose të saj përmes gjuhës verbale dhe ekspresive ka më shumë gjasa që të sillet në mënyrë jo korrekte dhe të zemërohet lehtë, sepse në mungesë të zhvillimit adekuat të gjuhës dhe të folurit ata përdorin sjellje jo të mira për të marrë vëmendjen e të tjerëve dhe të jenë në qendër. Mungesa e ndihmës në moshë të hershme çon në formimin e një sërë pasojash: probleme emocionale dhe sociale qe ndikojnë drejtëpërdrejtë në sjelljet e tyre, refuzim i të folurit në situata shkolle, bashkëveprime të rralla me bashkëmoshatarë, vështirësi akademike etj”, shtoi më tutje logopedia Hashani./21Media

Back to top button