“Sigurimi i veprimtarisë bujqësore ndikon në uljen e normave të kredisë”
Sektori i bujqësisë ka bërë bashkë përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ato ndërkombëtare
Ministri i MBPZHR-së, Memli Krasniqi tha se Qeveria e Kosovës, fermerët dhe institucionet e Kosovës janë mirënjohës për ndihmën që donatorët e huaj kanë dhënë për zhvillimin ekonomik në Kosovë.
Krasniqi tha se ministria që ai udhëheqë do të përqendrohet në masat që do të ndihmojnë prodhimtarinë primare bujqësore, rritjen e vendeve të punës si dhe rritjen e konkurrencës, në mënyrë që të arrihet nivel më i lartë që në të ardhmen fermerët nga Kosova të mbijetojnë dhe të përballen edhe me konkurrencën jashtë vendit.
“Sigurimi i veprimtarisë bujqësore do të ndikojë edhe në uljen e normave të kredisë për bujqësi që aktualisht janë mjaft të larta”, tha ai.
Ai gjithashtu u shpreh se të vazhdojë bashkëpunimin me Bankën Botërore si dhe do të fokusohen në rritjen e buxhetit për subvencione ngase ai mendon se ende është buxheti i vogël për këtë sektor.
“Planifikojmë të ndryshojmë aplikimin për grante dhe subvencione për fermerë, nga aplikimi manual në aplikim online në mënyrë që procesi të jetë edhe më transparent”, tha Krasniqi.
E përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë Libor Chabert, tha se me marrëveshjen IBA 1, janë investuar mbi 30 milionë euro për grante. Ndërkaq ai tha se nga marrëveshja IBA 2, e cila përfshinë vitet 2014-2020 janë paraparë edhe 30 milionë të tjera për tu investuar në Kosovë.
Ai tha se në vitin e kaluar importet në Kosovë kanë qenë për 6 herë më të mëdha se eksportet.
Ndërkaq Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, konsideroi se kontributin më të madh në Kosovë Franca e ka dhënë në fushën e indikacioneve gjeografike. Kjo sipas tij, ka ruajtur mjedisin dhe ka ndikuar që prodhimi të jetë më në nivel.
Këto u thanë sot në konferencën e mbajtur “Partneriteti për Bujqësi të Qëndrueshme, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Kosovë 2017” të inicuar nga MBPZHR-ja.