Sinani i reagon Arifit pasi e quajti servile të Kurtit

Ish-kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani ka hedhur poshtë akuzat e kryetarit aktual të kësaj komune Shqiprim Arifi, se ajo është një servile e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Sinani në një intervistë për kp thotë se Arifi është kryetar në ikje, për të cilin shton se “duke e sulmuar Kosovën gjithmonë ka fshehur dështimin e tij”.

Këshilltarja politike e Kurtit thotë se Arifi vazhdimisht po e kritikon vetëm Kosovën dhe asnjëherë Serbinë.

Ajo potencon se që nga marrja e mandatit nga Arifi, gjendja në Komunën e Preshevës është përkeqësuar.

Shqiprim Arifi më herët pati deklaruar se qeverisja e Ardita Sinanit u ka trashëguar disa problematika, të cilat kanë qenë edhe ligjore e më pas janë ballafaquar edhe në gjykata, teksa, ai e akuzoi kryeministrin Albin Kurti për përçarje të spektrit politik në Luginën e Preshevës.

Gjithashtu, ai ka potencuar se në asnjë nga takimet që kryeministri Kurti ka mbajtur me përfaqësuesit e Luginës, ai nuk ka qenë i ftuar.

Lidhur me këtë, Sinani thotë se akuzat e Arifit janë të pavërteta dhe të pabaza.

Ajo thotë se në proceset më të rëndësishme dhe vendimmarrëse për Kosovën, Arifi kritikon qeverinë dhe kryeministrin, e asnjëherë Beogradin zyrtar.

Për sa i përket zgjedhjeve të 17 dhjetorit në Serbi, Sinani thotë se Arifi mori përgjigjen më të mirë nga qytetarët, duke e bojkotuar procesin zgjedhor.

Këshilltarja politike e shefit ekzekutiv, Ardita Sinani thotë se lista me të cilën kishte garuar Arifi, bënte thirrje për bojkot e distancim nga Republika e Kosovës, e sipas saj asnjëherë ndaj asaj të Serbisë.

Sinani potencon se partitë politike në Luginë të Preshevës po veprojnë në kushte diskriminimi shtetëror dhe në gjendje të rëndë socio-ekonomike.

Ajo shton se Beogradi zyrtar synon që shqiptarët e Luginës të jenë sa më pak të organizuar dhe sa më të përçarë, andaj kanë nevojë për më shumë cilësi, organizim dhe angazhim, në mënyrë që të bëjnë pluralizmin e politikës shqiptare karshi Serbisë.
Back to top button