Sipas Hotit, Haradinaj është kryeministër në largim

“Kosova e bllokuar nga grevat në arsim, shëndetësi dhe adminsitratë, të nxitura nga vendimi i Qeverisë për të rritur pagën për vete”

​Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti duke komentuar disa nga ngjarjet e fundit në vend u shpreh se Kosova duhet të prodhojë lajme për investitorë të huaj e arritje në diplomaci, në vend të grevave, e regresit në luftën kundër korrupsionit.

Hoti përmes një postimi në facebook, kryeministrin Ramush Haradinaj e quan “kryeministër në largim”.

“Kosova ka bërë regres në luftimin e korrupsionit. Transparency International vlerëson se Kosova ka rënë nga pozita 85 në pozitën 93. Kjo sigurisht nuk është e papritur me këtë qeveri.

Kosova në prag të prishjes së marrëdhënieve miqësore me SHBA. Kryeministri në largim deklaron se kjo nuk është problem.

Kosova e bllokuar nga grevat në arsim, shëndetësi dhe adminsitratë, të nxitura nga vendimi i Qeverisë për të rritur pagën për vete, edhe pse kjo u vlerësuar të jetë konflikt i interesit nga Agjencia Antikorrupcion, që është e thirrur ligjërisht për të dhënë vlerësime të tilla”, shkroi Hoti në facebook.

Ai ka shtuar se lajme të tilla nuk duhet të prodhohen në Kosovë.

“Ne duhet të prodhojmë lajme për investitorë të huaj që investojnë në Kosovë, për arritje në diplomaci, për përmirësim të jetës së qytetarëve, lajme për plotësim të kërkesave për integrim evropian”, shtoi Hoti.

Organizata ndërkombëtare, Transparency International publikoi të martën Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2018, i cili thekson se dështimi i vazhdueshëm i shumicës së vendeve për të kontrolluar korrupsionin, është duke kontribuar në një krizë të demokracisë në gjithë botën. Në indeksin e sivjetmë, Kosova radhitet e 93-ta, me 37 pikë, çfarë do të thotë se ka shënuar përkeqësim në luftën kundër korrupsionit, krahasuar me vitin paraprak, kur ka qenë në vendin e 85-të, me 39 pikë.

Ndërsa, greva në arsim sot hyn në ditën e 13-të, përderisa SBASHK-u ka përsëritur se nuk lëkunden deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Ndërkaq, rreth 22 mijë nëpunës civilë kanë hyrë në grevë, duke kërkuar nga institucionet që të merren me kërkesat e tyre. Sipas sindikalistëve, nëse nuk ka reflektim institucional nuk përjashtohet mundësia e ashpërsimit të masave apo grevës së përgjithshme./21Media

Back to top button