S’ka profesorë shqiptarë në gjimnazin e Velesit
Për të ndjekur mësimin në gjuhën e tij amtare, Bekim Zeqiri nga Jabollçishta e Epërme e Velesit ka ardhur në Shkup. Ai po ndjek mësimin në gjimnazin “Zef Lush Marku”, e për këtë u detyrua pasi që në gjimnazin “Koço Racin” në Veles nuk ka profesorë shqiptarë. Bekimi thotë se nuk e ka lehtë për të përballuar shpenzimet, për konvikt dhe për udhëtimet dy herë në muaj për në vendlindje.
“Ka shpenzime, por kur marrim parasysh më mirë është në shqip dhe të shpenzojmë, se sa me mësuar maqedonisht. Kjo është arsyeja se nuk dua të mësoj maqedonisht. Nuk jam vetëm unë, ka edhe shumë shok të tjerë që kanë ardhur këtu dhe në qytete tjera shqiptare ku mësohet vetëm shqip”, tha ai.
Sipas tij, shumë bashkëmoshatarë të tij që kanë ngelur të ndjekin mësimet në gjimnazin e Velesit po e humbasin gjuhën amtare, ndërsa maqedonishtja po përdoret si gjuhë komunikimi mes tyre.
“Atyre iu vjen më vështirë të mësojnë në gjuhën maqedonase. Ka raste që ngatërrojnë në gjuhën maqedonase, aq shumë që janë asimiluar në gjuhën maqedonase”, tha ai.
Sociologu Ali Pajaziti thotë se kjo dukuri e nxënësve shqiptar që mësojnë në gjuhën jo amtare duhet alarmuar, me që sipas Konventës Ndërkombëtare shkelet drejta për arsimim në gjuhën amtare. Pajaziti thotë se mungesa e kuadrit shqiptar në rajonin e Velesit është për shkaqe institucionale,shkruan tv21.tv
“Duhet që të gjithë të jemi më vigjilent në këtë drejtim dhe atyre fëmijëve tua sigurojmë këtë mundësi, me qëllim që të ruajmë indin tonë kombëtarë. Me të vërtetë paraqesin periferitë e shqiptarizmit për momentin. Por institucionet, gjegjësisht Qeveria e posaçërisht pjesëtarët shqiptarë të Qeverisë, partitë politike dhe gjithë opinioni publik, duhet të jenë më të zgjuar që këtë çështje ta alarmojnë”, theksoi Pajaziti.
Nxënësve të shkollës së mesme “Koço Racin” në Veles mbi 90 për qind të lëndëve u ligjërojnë profesorë maqedonas. Drejtoria e shkollës thotë se përgjigja duhet kërkuar tek komuna e Velesit, por kryetari i kësaj komune Sllavço Çadiev në prononcimin një muaj më parë për TV21 kishte deklaruar se përgjegjës për këtë situatë është Ministria e Arsimit, dhe se duhet të gjejë zgjidhje. E nga Ministria e Arsimit thonë se ky problem do gjejë zgjidhje pas formimit të Qeverisë./21Media