Smajl Latifi për RTV21 zbulon projektin 4 milionësh në Rahovec

Projekti i parë që ka filluar kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi gjatë këtij mandati është ndërtimi i terrenit sportiv në fshatin Retijë e Ulët dhe do të vazhdojë edhe me ndërtimin e terreneve tjera sportive.
Por, Latifi gjatë një interviste për portalin rtv21.tv ka zbuluar edhe projektin më të madh që do të jetësohet gjatë këtij mandati.
“Projekti më i madh që pritet të realizohet brenda këtij mandati është ndërtimi i Sheshit Qendror të Qytetit, i cili kap vlerën rreth 4.000,000 euro”, ka thënë Latifi.
Ai ka theksuar se ndërtimi i sheshit qendror në qytet është projekti më i madh në historinë e urbanizmit, që i mungon Rahovecit.
“Rahoveci është i vetmi qytet pa shesh qendror, ndaj ndërtimi i tij do ta bëjë Rahovecin, më të begatë, më funksional dhe më të vizitueshëm një projekt i tillë i ka munguar dhe ende i mungon qytetit”, ka thënë kryetari.
I pari i Rahovecit përmendi edhe disa projekte tjera “konkrete”, mirëpo tha se po ka vonesa në realizimin e tyre për shkak “të sezones dimërore dhe vonesës në alokimin e mjeteve buxhetore për këtë vit”.
“Drejtoria e Shërbimeve Publike ka filluar me projektet konkrete, si: eliminimi i deponive ilegale, zgjerimi i ndriçimit publik, ndërtimi i rrugëve lokale në njërën prej loteve të kontraktuara”, ka thënë Latifi për rtv21.tv.
Buxheti i komunës së Rahovecit në kuadër të investimeve kapitale për vitin 2022 është 4 milionë e 815 mijë e 816.
Smajl Latifi ka treguar edhe projeksionet buxhetore për vitet e ardhshme duke treguar se çfarë do të punojë.
“Projeksionet për vitin 2023: 5,421,320.00, për vitin 2024: 6,276,419.00 e në toal përbëjnë një shumë prej: 16,513,555.00. Konsiderojmë se përkundër sfidave do të arrijmë t’i realizojmë objektivat dhe prioritetet brenda këtij mandati si: ndërtimi i sheshit qendror në qytet, ndërtimi i tri objekteve shkollore, ndërtimi i depos për ruajtjen dhe magazinimin e prodhimeve bujqësore të fermerëve, ndërtimi i kanaleve për kullimin e tokave bujqësor, ndërtimi i kanaleve dhe rregullimi i shtretërve të përrenjve për mbrojtjen dhe parandalimin e vërshimeve dhe prmbytjeve, përfundimi në tërësi i ndriçimit publik për të gjitha vendbanimet e komunës, si dhe shumë projekte të tjera”, ka thënë Latifi.
Në komunën e Rahovecit janë 664 raste me asistencë sociale, mirëpo Latifi nuk ka treguar nëse komuna mbështetë këto raste me ndonjë ndihmë tjetër.
Planet e Rahovecit për fushën e arsimit sipas kryetarit:
• Funksionalizimi i plotë i aktivave profesionale (AP) dhe Këshillave Drejtuese në secilën shkollë;
• Riparimet dhe investimet në efiçiencë të energjisë në objektet shkollore, në këtë vit kemi fituar edhe tri projekte me eficiencë, si: në shkollat: “Hamëz Thaçi” në Xërxë, “12 Maji” në Ratkoc dhe “Skënder Kastrati” në Gexhë.
• Përfundimi i investimeve të planifikuara në ndërtimin e çerdheve për fëmijë dhe fillimi i funksionalizimit të tyre, çerdhet në Krushë të Madhe, Ratkoc dhe Xërxe janë në fazën përfundimtare të punimeve – Brenda një periudhe të shkurtër pritet përurimi i tyre.
• Funksionalizimi i plotë i shkollave të reja të sapondërtuara;
• Vazhdimi i furnizimit të shkollave me libra, pajisja me mjete konkretizimi e laboratorike, me pako pedagogjike dhe teknologji informative dhe pajisje inovative;
• Përpilimi dhe zgjerimi i përdorimit të pakos pedagogjike edhe për klasat e larta
Latifi ka theksuar edhe prioritetet themelore në fushën e arsimit:
• Përmirësimi i infrastrukturës së institucioneve shkollore
• Mbarëvajtja e procesit edukativo arsimor
• Nxitja e nxënësve për të mësuar përmes organizimit periodik të garave të diturisë në secilin nivel arsimor dhe në secilën lëndë.
• Ngritja e cilësisë në Arsim përmes përdorimit të teknikave të reja inovative.
Kreu i Komunës së Rahovecit ka treguar edhe planet e tij për shëndetësinë në Rahovec.
• Shërbime mobile shëndetësore – Kemi filluar dhe do të vazhdojmë në katër vitet e ardhshme. Pra, QKMF “Dr. Fahredin Hoti” ka filluar të ofrojë shërbime mobile shëndetësore për qytetarët të cilët për arsye të ndryshme e kanë të vështirë levizjen. Një zotim i realizuar në fillim të këtij viti.
• Pediatri në QKMF – jemi duke ofruar shërbime çdo ditë në një ndërrim, ndërkaq vizita e pediatrit në çerdhen e fëmijëve “Tulipanët”, ka filluar të aplikohet në mënyrë sistematike, së paku një herë në javë, çdo të premte.
• Lindjet e reja – Do të rritet përkrahja financiare për lindjet e reja. Brenda mandatit, për të stimuluar natalitetin, si dhe për të ndihmuar nënat lehona si dhe familjet e tyre për rritjen e foshnjeve.
• Investimet në maternitet, veçse janë duke ndodhur.
• Komuna do të ndajë buxhet për të siguruar më shumë barna esenciale për qytetarët e komunës së Rahovecit.
• Ndihma momentale për pacientet më sëmundje terminale -Komuna e Rahovecit ka tashmë një fond për t’u dalë në ndihmë pacienteve më sëmundje të rënda, përmes mbulimit të pjesshëm të shpenzimeve.
• Po shqyrtojmë mundësinë e ofrimit të shërbimeve falas në shëndetësi për të gjithë.
• Për shëndetin mendor – po angazhohemi për rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit, duke vënë në zbatim praktikat e përfshirjes së ekipeve profesionale (psikologë, pedagogë, punëtorë social, logopedë etj.) për ofrimin e shërbimeve edhe më të mira për të gjithë qytetarët që kanë nevojë për këto lloj shërbimesh, si dhe shfrytëzimin e të gjitha mundësive për bashkëpunim sa më funksional dhe koordinim sa më të mirë me Qendrën Rajonale të Shëndetit Mendor në Gjakovë./21Media

Back to top button