S’mjafton buxheti për furnizimin e të burgosurve me barna

128 mijë e 256 euro janë shpenzuar për barnat e të burgosurve në Kosovë gjatë vitit 2021. Por, sipas “Raportit vjetor të punës së Departamentit Shëndetësor të Burgjeve për vitin 2021” të siguruar nga portali rtv21.tv, buxheti për furnizime me barna ka qenë i pamjaftueshëm.
“Gjatë kësaj periudhe, buxheti i alokuar për furnizime me barëra ka qenë i pa mjaftueshëm. Është e nevojshme që ky buxhet të shtohet së paku edhe për 50,000.00€”, thuhet në raportin e siguruar nga portali rtv21.tv. Departamenti Shëndetësor i Burgjeve ka thënë se një gjë e tillë është kërkuar, por ende nuk është arritur të realizohet.
Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) për portalin rtv21.tv ka bërë të ditur se të burgosurit furnizohen me barna falas, mirëpo ato barna që nuk janë në listën e DShB-së e as në atë të MSh-së atëherë duhet të sigurohen nga familjarët.
“Janë hasur vështirësi në disa artikuj të cilët rrallë shfrytëzohen në burgje dhe të cilët nuk janë as në listën e DShB e as në atë të MSh. Disa nga këta artikuj i kemi proceduar me procedura të veçanta të prokurimit ndërsa disa janë detyruar të sillen në forma të ndryshme, edhe përmes familjareve”, thuhet në raport.
Sipas raportit rrallë janë gjetur apo keqpërdorur barnat nga të burgosurit./21Media

Back to top button