Sonda e NASA-s përplaset me sukses me një asteroid

Sonda e agjencisë amerikane të hapësirës NASA, është përplasur me sukses në një asteroid, duke shkatërruar veten në këtë proces.
Përplasja ishte e qëllimshme dhe e projektuar për të testuar nëse shkëmbinjtë hapësinorë që mund të kërcënojnë Tokën mund të nxirren në mënyrë të sigurtë nga rruga, transmeton rtv21.tv.
Kamerat e sondës Dart kapën pamjen e përplasjes në objektin 160 metra të gjerë të quajtur Dimorphos.
Kontrollorët në Laboratorin e Fizikës së Aplikuar të Universitetit Johns Hopkins, pritën me gëzim pamjet e kapura nga kamerat në sondën Dart. Sipas të dhënave të para, vendi ku u përplas sonda ishte vetëm 17 metra larg qendrës së asteroidit Dimorphos.
Do të kalojnë disa javë para se shkencëtarët në misionin e udhëhequr nga NASA të dinë me siguri nëse eksperimenti i tyre ka funksionuar, por Dr Lori Glaze, drejtoresha e shkencës planetare në agjencinë hapësinore, ishte e bindur se diçka e jashtëzakonshme ishte arritur.
“Ne po hyjmë në një epokë të re të njerëzimit, një epokë në të cilën ne potencialisht kemi aftësinë për të mbrojtur veten nga diçka si një përplasje e rrezikshme e rrezikshme asteroidi. Çfarë gjëje e mahnitshme; ne kurrë nuk e kemi pasur atë aftësi më parë”, tha ajo.
Sonda Dart po lëvizte me një shpejtësi relative prej 22.000 kilometrash në orë kur hasi dy asteroid, një më i madh dhe një më i vogël, dhe më pas softueri i navigimi rregulloi trajektoren e sondës dhe ajo u përplas me asteroidin Dimorphos.
Nga pamjet e marra nga sonda, shkencëtarët thanë se asteroidi kishte formën e një diamanti dhe në disa pjesë të sipërfaqes së tij kishte gurë, por disa zona ishin të lëmuara.
Shkencëtarët në javët në vazhdim do të studiojnë ndryshimet teksa Dimorphos do të bëjë rrotullimin rreth asteroidit tjetër të quajtur Didymos.
Para përplasjes, Dimorphosit i duheshin 11 orë e 55 minuta që të rrotullohej rreth orbitës së tij. Kjo kohëzgjatje pritet të shkurtohet për disa minuta, pas përplasjes me sondën e NASA-s.
Por, dëshmitë e para që erdhën nga pamjet e incizuara rreth 11 milionë kilometra larg Tokës, duket se plani ka funksionuar./21Media

Back to top button