Sonte në Kino Armata jepet premiera e “Run for Sharr”

Sonte (23 nëntor) me fillim nga ora 19:00, në Kino ARMATA jepet premiera e filmit “Run for Sharr” të bashkëprodhuar nga Fondacioni Utalaya dhe WWF Adria.
Dokumentari “Run for Sharr” është xhiruar në gusht të vitit 2021 gjatë maratonës 4-ditore të organizuar nga Fondacioni Utalaya dhe WWF Adria me qëllim promovimin e rëndësisë së Parkut Kombëtar Sharri në Kosovë.
E shoqëruar nga vrapues të tjerë, Uta Ibrahimi, alpiniste dhe vrapuese e njohur, ka kapur bukurinë e malit dhe ka nxjerrë në pah bukuritë dhe pasojat e sjelljes së papërgjegjshme ndaj burimeve të tij natyrore.
Parku Kombëtar Sharri po përballet me shumë probleme serioze si prerjet ilegale dhe zjarret e pyjeve, degradimi i parevokueshëm i florës, si dhe humbja e faunës përmes gjuetisë pa leje. Për të ndaluar të gjitha aktivitetet e dëmshme në park, WWF iu bashkua Fondacionit Utalaya për të treguar se si natyra mund të përdoret për aktivitete rekreative pa lënë gjurmë apo pa e dëmtuar atë.
Duke u bashkuar me ne në shfaqjen ekskluzive, ju do të tregoni mbështetje të rëndësishme për mbrojtjen e Parkut Kombëtar Sharri.
Gjatë ngjarjes do të keni mundësi të dëgjoni fjalime të shkurtra nga organizatorët dhe mbështetësit e kësaj kampanje si dhe nga institucionet tjera relevante të perfshira në aspektet mjedisore në Kosovë./21Media

Back to top button