Ata kanë të drejtë të dalin deri në orën 11:00

Ata kanë të drejtë të dalin deri në orën 11:00

Shqipëria mbyllet edhe për këtë fundjavë, duke nisur nga dita e djeshme ora 17:30, por pensionistët do të mund të dalin për ajrosje në fundjavë, por me disa kushte.

Kryeministri Edi Rama ka thënë se derisa gjithçka do të jetë e mbyllur, të gjithë pensionistët do të mund të dalin jo për vizita, jo për domino apo ulje shumë të rrezikshme në grup, por për ajrosje dhe ecje në këmbë deri në orën 11:00 paradite dhe jo më shumë se me një tjetër pensionist duke ruajtur distancën e sigurisë.

Pas këtij këtij njoftimi reagoi edhe Policia e Shtetit, e cila thotë se bazuar në urdhrin e fundit të kryeministrit të vendit për lejimin e pensionistëve për të dalë ditën e shtunë deri në orën 11:00, Policia e Shtetit do të mirëpresë e asistojë pensionistët, për të respektuar distancimin social.

“Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e pensionistëve që të mos ulen në grupe nëpër parqe apo lulishte, të mos jenë më shumë se dy persona bashkë dhe pas orës 11:00, duhet të kthehen në banesë. Shërbimet e Policisë do të jenë pranë tyre për çdo rast nevoje që ata mund të kenë“, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërkohë, në të gjithë vendin do të vijojnë kontrollet e pandërprera kryesisht në qendrat urbane, për respektimin e karantinës.

Do të lejohen të qarkullojnë me makinë, të pajisur me autorizim apo në këmbë, në itinerarin shtëpi-punë-shtëpi, pa asnjë ndalesë të gjithë personat që kanë autorizim për të punuar gjatë fundjavës.

Të gjithë të tjerët duhet të respektojnë masat kufizuese për të mos dalë nga banesa deri në orën 05:00 të ditës së hënë, duke përjashtuar lëvizjet për emergjencat mjekësore.