Sot seanca konstituive e Kuvendit

Seanca konstituive do të mbahet prej orës 15:00

Ndërkohë që dy partitë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur marrëveshje për formimin e qeverisë, sot pasdite do të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së shtatë e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Konform vendimit të presidentit, edhe kryesia e Kuvendit konfirmoi se seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet prej orës 15:00.

Në përbërjen e re parlamentare do të jenë të përfaqësuara 14 subjekte politike. Seanca do të kryesohet nga deputeti më i vjetër në moshë, përkatësisht Jahja Koka, shoqëruar nga deputeti më i ri, në rastin konkret, deputetja Fjolla Ujkani, që të dy deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Pikë e parë e seancës do të jetë formimi i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, për t’u pasuar me betimin e deputetëve. Seanca konstituive do të përmbyllet me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit.

Po ashtu janë përcaktuar edhe ulëset për grupet parlamentare. Kështu, konform rregullores dhe praktikës së deritashme, grupi më i madh parlamentar që është Vetëvendosje do të ulet në qendër, grupi i dytë me radhë e që është LDK në anën e djathtë të kryesuesit të seancës, ndërsa grupi i tretë që është PDK në anën e majtë të kryesuesit. Përcaktimi i ulëseve për grupet e tjera do të bëhet në vijim.

Back to top button