Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski është edhe kryeministër edhe deputet, gjë që e shkelë parimin e ndarjes së pushtetit në pushtet ekzekutiv dhe ligjvënës. Deri kur do të zgjasë kjo gjë varet nga formimi i Qeverisë së re.

Dy funksione d.m.th. edhe dy paga për individë që janë zgjedhur për deputetë, ndërsa ende janë ministra.

“Funksioni deputet, anëtar i këshillit dhe kryetar i komunës është jo koherent me funksionin kryetar i Republikës së Maqedonisë, kryetar i Qeveris sё Republikës sё Maqedonisë, ministër, gjykatës, prokuror publik, avokat publik, avokat i popullit dhe me bartës të tjerë të funksioneve që i zgjedh ose i  emëron Kuvendi i Republikës së Maqedonisë dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë”, thuhet në nenin 8 të Kodit Zgjedhor.

Por, për të siguruar vazhdimësi në punën e Qeverisë, ata, sipas nenit 93, paragrafi 5 i Kushtetutës, mbeten ministra deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.

“Në çdo rast, nuk guxojnë të marrin dy paga dhe nuk guxojnë të kenë dy funksione, por andaj them këto janë çështje shumë të rëndësishme të cilat sa më shpejtë duhet të rregullohen”, deklaroi Biljana Ivanovska, KSHPK.

Për momentin, konflikt interesi ka edhe në vetëqeverisjen lokale në Shtip, ku kryetari i komunës është zgjedhur për deputet, ndërsa tashmë është në listën e përbërjes së Qeverisë së re si ministër për transport dhe lidhje.

“Që të respektohet ligji jonë se funksioni është jo koherent dhe që të respektohet Kodi Zgjedhor, del që nuk duhet të jenë bartës të listave ose pjesë e listave zgjedhore për deputet, që të mos vijë deri te shkelja, nëse ata mund të jenë pjesë e listës së deputetëve, atëherë duhet të rregullohet se në cilin moment i ndërpritet mandati i ministrit”, u shpreh Biljana Ivanovska, KSHPK.

Nga Antikorrupsioni do të hetojnë për pagat e dyfishta të ministrave që janë zgjedhur për deputet, për shkak se thonë se një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë.

Në Kushtetutë është paraparë “Qeveria, së cilës i është votuar mosbesimi, e cila ka dhënë dorëheqje ose së cilës i pushon mandati për shkak të shpërndarjes së Kuvendit, mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”, raporton TV21./21Media