Specialja ia vazhdon paraburgimin Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, ua kanë vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në dy vendime të ndara, më 15 janar 2024, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, ka vendosur edhe për afatin se kur ZPS-ja duhet t’i dorëzojë parashtrimet e veta për shqyrtimin e radhës për masën e paraburgimit për dy të akuzuarit.

“a) URDHËRON vazhdimin e paraburgimit të z. Selimi; dhe b) UDHËZON ZPS-në që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të z. Selimi jo më vonë se e premtja, 23 shkurt 2024 (ora 16:00) me çdo përgjigje dhe përgjigje pas afatit kohor të përcaktuar në Rregullën 76”, thuhet në vendimin e trupit gjykues për vazhdimin e paraburgimit për Rexhep Selimin.

Ndërsa, për Jakup Krasniqin është vendosur afati kohor deri më 23 shkurt 2024 që ZPS-ja t’i dorëzojë parashtrimet e saj lidhur me shqyrtimin e radhës të paraburgimit.

“a) URDHËRON vazhdimin e paraburgimit të z. Krasniqi; b) UDHËZON Mbrojtjen e Krasniqit që të paraqesë një version publik të redaktuar të Përgjigjes deri të hënën, më 22 janar 2024; c) UDHËZON Regjistrin që të riklasifikojë përgjigjen (F02048) si publike; dhe d) UDHËZON ZPS-në që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të z. Krasniqi jo më vonë se e premtja, 23 shkurt 2024 (ora 16:00), me parashtresat e mëvonshme me shkrim pas afateve kohore të përcaktuara në rregullën 76”, thuhet në vendimin e gjykatës për Jakup Krasniqin.

Sa i përket Krasniqit, ZPS-ja kishte parashtruar se paraburgimi i tij mbetet proporcional.

“ZPS-ja argumenton se, duke marrë parasysh të gjithë faktorët, paraburgimi i z. Krasniqi mbetet proporcional. Për këtë qëllim, ZPS i referohet gjetjeve të mëparshme të Panelit se: (i) z. Krasniqi akuzohet për dhjetë akuza për krime të rënda ndërkombëtare në të cilat ai pretendohet se luan një rol të rëndësishëm; (ii) nëse dënohet, ai mund të përballet me një dënim të gjatë; (iii) rreziqet e vazhdueshme sipas nenit 41(6)(b)(ii) dhe (iii) nuk mund të zbuten mjaftueshëm me zbatimin e masave alternative të arsyeshme; (iv) çështja kundër z. Krasniqi është komplekse; (v) ekziston një klimë e frikësimit të dëshmitarëve siç është përshkruar më sipër; dhe (vi) progresi vazhdon të bëhet në këtë rast”, thuhet në vendimin për vazhdimin e paraburgimit për Krasniqin.

Ndërsa, mbrojtja e Krasniqit kishte argumentuar se vazhdimi i paraburgimit për të mbrojturin e saj është joproporcional.

“Mbrojtja e Krasniqit argumenton se vazhdimi i paraburgimit i z. Krasniqi është joproporcional. Ajo pohon, në veçanti, se duke gjykuar nga numri i dëshmitarëve të ZPS-së të dëgjuar deri më tani dhe numri i dëshmitarëve të mbetur të cilët ZPS-ja synon t’i thërrasë, ka shumë të ngjarë që përfundimi i çështjes së Prokurorisë do të shtrihet përtej datës së synuar të prillit 2025. Për më tepër, pohon se kohët e fundit, modifikimi i kushteve në objektet e paraburgimit tashmë ka pasur një ndikim të rëndësishëm në të drejtat e z. Krasniqi dhe se mohimi i të drejtave të z. Krasniqi, duke përfshirë vizitat për të cilat ai ka të drejtë ligjore, përbën një argument bindës në favor të lirimit të tij të menjëhershëm”, thuhet në vendim.

Në lidhje me parashtrimet e mbrojtjes së Krasniqit, e cila ka pretenduar se ka përparim të ngadaltë të gjykimit, përmes këtij vendimi trupi gjykues ia rikujtoi mbrojtjes se vonesat i atribuohen këtyre të fundit dhe ZPS-së.

Kështu, trupi gjykues konstatoi se vazhdimi i paraburgimit edhe për dy muaj për Krasniqin është i arsyeshëm dhe i nevojshëm.

“Në dritën e si më sipër, dhe në veçanti faktorët e përmendur në paragrafin 44 më lartë, Paneli gjen se paraburgimi i z. Krasniqi për dy muaj të tjerë është i nevojshëm dhe i arsyeshëm në rrethanat specifike të rastit”, thuhet në vendim.

Ndërsa për Selimin, ZPS-ja kishte parashtruar se nuk ka asnjë masë alternative që mund të zbuste mjaftueshëm rreziqet për mbarëvajtjen e procedurës gjyqësore, duke theksuar se sjellja e të akuzuarit paraqet rrezik më të lartë së kurrë.

“ZPS parashtron se asnjë masë alternative nuk zbutë në mënyrë të mjaftueshme rreziqet e Nenit 41(6)(b) të paraqitura nga z. Selimi. ZPS-ja rikujton se Paneli më parë ka konkluduar se rreziqet e pengimit të procedurës dhe kryerjes së veprave të mëtejshme mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm në objektet e paraburgimit të DhSK-së. ZPS shton se asgjë nuk ka ndodhur që nga Vendimi i Dymbëdhjetë për Paraburgimin që garanton një vlerësim të ndryshëm. Përkundrazi, sjellja e z. Selimi paraqet një rrezik më të lartë se kurrë, siç dëshmohet nga Paneli duke modifikuar kushtet e paraburgimit për të vendosur kushte më të rrepta”, thuhet në vendimin për vazhdimin e masës së paraburgimit për Rexhep Selimin.

Ashtu si për Krasniqin, trupi gjykues ka konsideruar se vazhdimi i paraburgimit për Selimin është i nevojshëm dhe i arsyeshëm.

“Në dritën e zhvillimeve të mësipërme, si dhe faktit se ekzistojnë rreziqe të vazhdueshme për pengimin e procedurës dhe kryerjen e krimeve të mëtejshme, asnjëra prej të cilave nuk mund të zbutet mjaftueshëm me zbatimin e masave të arsyeshme alternative, Paneli konstaton se për z. Selimi paraburgimi për dy muaj të tjerë është i nevojshëm dhe i arsyeshëm në rrethanat specifike të rastit”, thuhet në arsyetimin e vendimit për vazhdimin e masës së paraburgimit për Selimin.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

Back to top button