Stoltenberg: KFOR ruan autoritetin në hapësirën ajrore mbi Kosovë

Stoltenberg e cilëson hap të rëndësishëm

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka mirërpritur nënshkrimin e marrëveshjes mes Aviacionit Civil të Kosovës dhe kompanisë ajrore “Lufthansa”, me të cilën synohet hapja e linjës ajrore Prishtinë-Beograd.

“Ky është një hap i rëndësishëm, që do të kontribuojë në përpjekjet për të promovuar normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës dhe do të mundësojë qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave më shpejtë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Komandanti i misionit tonë të KFOR-it ruan autoritetin në hapësirën ajrore mbi Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Dhe NATO do të mbetet e përfshirë në procesin e gjatë të Normalizimit të Aviacionit në Ballkan, të cilin ne e udhëheqim”, ka thënë Stoltenberg.

Gjithashtu edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka mirëpritur nënshkrimin e letrës së qëllimit ndërmjet kompanisë ajrore prestigjioze gjermane “Lufthansa” dhe Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës, e cila mundëson hapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd. Thaçi ka thënë se kjo ngjarje shënon një hap tjetër në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë./21Media

Back to top button