Kaloni te përmbajtja kryesore

Veteranët shqiptarë të luftës në Kroaci reagojnë ndaj fyerjeve për UÇK-në: Të ndalet gjuha e urrejtjes

Veteranët shqiptarë të luftës në Kroaci, së bashku me shqiptarët që jetojnë në qytetin e Zarës, kanë reaguar ndaj, siç thonë ata, fyerjeve dhe akuzave që vazhdimisht drejtohen ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ish-liderëve të saj, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë.

Në reagimin e tyre, ata shprehin shqetësimin për komentet fyese që, sipas tyre, janë shtuar sidomos pas protestës së mbajtur më 5 korrik në Zarë, e cila u organizua në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

“Ne, veteranët shqiptarë të luftës në Kroaci nga Zara, së bashku me shqiptarët që jetojnë në këtë qytet, shprehim shqetësimin tonë të thellë për fyerjet dhe akuzat që vazhdimisht drejtohen ndaj UÇK-së dhe liderëve të saj. Besojmë se secili meriton një proces të drejtë dhe se askush nuk duhet të shpallet fajtor mbi bazën e shpifjeve apo akuzave të pabazuara”, thuhet në reagim.

Veteranët rikujtojnë lidhjen historike të Zarës me Kosovën, duke theksuar se qyteti ka qenë ndër qendrat që ka mbështetur shqiptarët që nga fillimi i viteve ’90.

“Zara ka qenë një nga qytetet që i ka qëndruar pranë popullit të Kosovës në periudhat më të vështira. Përmes Shoqatës së Shqiptarëve u organizuan ndihma humanitare me ushqime, veshmbathje dhe materiale të tjera, ndërsa në këtë qytet u prit edhe presidenti Ibrahim Rugova dhe u zhvilluan takime të rëndësishme për çështjen kombëtare.”

Në reagim përmendet edhe kontributi i shqiptarëve në luftën për pavarësinë e Kroacisë.

“Me fillimin e luftës në Kroaci, shumë shqiptarë nga Zara iu bashkuan frontit për liri. Kishim komandantë dhe eprorë të respektuar si gjeneralët Agim Çeku dhe Rrahim Ademi, të cilët na frymëzuan me shembullin e tyre. Ishim të bindur se liria fitohet vetëm me sakrificë.”

Sipas tyre, një rol të rëndësishëm ka pasur edhe themeluesi i Shoqatës së Shqiptarëve në Zarë, i identifikuar me inicialet G.K., i cili organizoi një njësi prej 46 luftëtarësh shqiptarë.

Veteranët theksojnë se edhe pas përfundimit të luftës në Kroaci, ndihma për Kosovën vazhdoi përmes organizimit të konvojeve humanitare dhe sigurimit të uniformave, çizmeve ushtarake dhe pajisjeve të tjera për luftën çlirimtare.

Duke folur për protestën e 5 korrikut, ata sqarojnë se organizimi nuk kishte karakter politik.

“Protestuam për të kërkuar drejtësi dhe lirimin e liderëve tanë, të cilët i konsiderojmë të pafajshëm. Nuk protestuam kundër askujt dhe as në emër të ndonjë partie politike. Protesta u mbajt në Zarë sepse ky qytet ka një histori të lidhur ngushtë me mbështetjen për Kosovën dhe me sakrificat e shqiptarëve që jetuan e vepruan këtu.”

Në reagim përmendet edhe krahasimi që është bërë në rrjetet sociale mes ish-presidentit Hashim Thaçi dhe gjeneralit kroat Ante Gotovina.

“Shpesh lexojmë komente se nuk mund të krahasohet Hashim Thaçi me gjeneralin Ante Gotovina. Por edhe vetë Gotovina ka theksuar se Kroacia kishte shtetin, ushtrinë dhe mbështetjen e nevojshme, ndërsa shqiptarët luftuan pa shtet, me shumë më pak armatim dhe mbështetje ndërkombëtare. Megjithatë, UÇK-ja arriti ta çojë Kosovën drejt lirisë me ndërhyrjen e NATO-s kundër agresionit serb.”

Në fund të reagimit, veteranët shprehen të shqetësuar për, siç thonë ata, ndikimin e propagandës serbe në diskursin publik.

“Është për të ardhur keq kur shohim se propaganda e atyre që dikur ishin agresorë ka arritur të krijojë përçarje edhe mes vetë shqiptarëve. Nuk duhet të harrojmë mijëra të vrarët, të dëbuarit dhe shkatërrimet që përjetoi populli ynë.”

Ata theksojnë se reagimi i tyre nuk synon të ofendojë askënd, por të kujtojë kontributin e shqiptarëve të Zarës për Kosovën.

“Ky shkrim nuk ka për qëllim të fyejë askënd. Është një kujtesë për historinë, sakrificën dhe kontributin e shqiptarëve të Zarës. U bëjmë thirrje të gjithëve që të ndalet gjuha e urrejtjes ndaj UÇK-së dhe ndaj atyre që luftuan për lirinë e Kosovës”, përfundon reagimi.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button