”Sulmi ndaj Çitakut, aksion individual”

Reagon vajza që ka hedhur veszë në drejtim të Vlora Çitakut

Qytetarja Blerta Avdili, e cila mbrëmë në SHBA e sulmoi me vezë ambasadoren e Kosovës në SHBA, Vlora Çitakun është shprehur se veprimi i saj nuk ka qenë i kordinuar nga asnjë individ, organizatë apo subjekt politik.

Në një postim në facebook i shkruar në emer të saj, thuhet se qe sa kohë ka qenë e indinjuar nga partitë politike të pushtetit në Kosovë, përfshirë edhe ambasadoren Çitaku.

Në aktivitetin që u mbajt dje në Universitetin e Denverit, në Kolorado, në ShBA, “unë i kam drejtuar disa pyetje Vlora Çitakut lidhur më korrupsionin në Kosovë dhe degradimin e përgjithshëm që ka sjell pushteti që ajo përfaqëson”, ka shkruar ndër të tjera Avdili duke shtuar se Çitaku është përpiqur të relativizonte situatën dhe siç ka shkruar ”duke u përpjekur sërish që ta mbulonte krimin e pushtetit që ajo përfaqëson”.

”Aksioni im individual kundrejt regjimit që përfaqëson Vlora Çitaku

Ka vite që jam e indinjuar thellësisht me situatën e krijuar nga regjimi autoritar i instaluar në Kosovë nga partitë në pushtet dhe njerëzit e dala nga këto parti, si Ambasadorja Vlora Çitaku. Partitë e pushteti në Kosovë dhe njerëzit e dala prej tyre e kanë lënë popullin tim me një prej sistemeve më të degraduara shëndetësore dhe arsimore në botë. Populli në Kosovë jeton si në një burg nën qiell të hapur nën një dhunë të vazhdueshme sistemike. Në aktivitetin që u mbajt dje në Universitetin e Denverit, në Kolorado, në ShBA, unë i kam drejtuar disa pyetje Vlora Çitakut lidhur më korrupsionin në Kosovë dhe degradimin e përgjithshëm që ka sjell pushteti që ajo përfaqëson. Gjithashtu, unë e kam mbajtur përgjegjës këtë pushtet dhe përfaqësuesit e tij, përfshirë Vlora Çitakun, për persekutimin e vazhdueshëm të aktivistëve të opozitës me prova dhe raste gjyqësore të montura, që kanë çuar deri te vrasja në burg e aktivistit Astrit Dehari. I njëji pushtet ka refuzuar një hetim ndërkombëtar mbi këtë vrasje. Vlora Çitaku u përpoq ta relativizonte situatën duke mos qenë e sinqertë para publikut dhe duke u përpjekur sërish që ta mbulonte krimin e pushtetit që ajo përfaqëson. Unë kisha menduar që t’i bëja Vlora Çitakut si dhuratë dy vezë të prishura të cilat doja t’ia jepja në dorë në formë simbolike për kalbjen e regjimit që ajo përfaqëson. Por nisur nga mungesa e theksuar e sinqeriteti të saj, dhe nga manipulimi që bëri, si dhe nga fakti që moderatorja e aktiviteti ndërhyri në debat duke mos më lejuar që t’ia dorëzoja vezët e prishura Vlora Çitakut, atëherë unë vendosa t’i gjuaj ato dy vezë në drejtim të Vlora Çitakut, në shenjë proteste ndaj gjithçkaje që po heq populli im prej njerëzve si ajo dhe pushtetit që ajo përfaqëson.

Unë jam qytetare e Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht edhe nënshtetase amerikane, dhe kam vepruar e pakoordinuar me asnjë individ tjetër, organizatë apo subjekt politik. Aksioni im është individual dhe unë mbaj përgjjegjësi të plotë personale për qëndrimet dhe veprimet e mia. Unë nuk jam anëtare e asnjë subjekti politik. Nga ana tjetër dëshiroj të theksoj se jam shëndoshë e mirë, dhe se nuk do ndalem në kërkesën time të vazhdueshme për drejtësi për popullin në Kosovë”, ka shkruar Avdili në facebook.

Ndryshe, mbrëmë Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku është sulmuar me vezë në SHBA, për të cilin ka reaguar edhe vetë ajo. “Vezët nuk e kanë vrarë kurrë askënd. Po fjalët vrasin.  Sigurisht që ndjehem e lënduar nga ato fjalë të rënda, dhe nga ato shpifje pa krip. Është krejt normale të kemi mospajtime, por ato duhet të mbesin në nivelin e debatit, e asnjëhere në sulm e shpifje ndaj tjetrit” ka shkruar nder tjerash Vlora Çitaku në facebook pas këtij incidenti.

Ndërkohë, edhe Presidenti i vendit, Hashim Thaçi e ka dënuar sulmin ndaj Çitakut duke u shprehur se sulmi ndaj Çitakut është përpjekje për të dëmtuar imazhin e Kosovës./21Media

 

Back to top button