Sulmi në Bruksel ishte sulm terrorist

Prokuroria në Belgjikë e konfirmon

Prokuroria në Belgjikë ka kumtuar se shpërthimi në stacionin hekurudhor në Belgjikë, i cili u shkaktua nga një mashkull, po trajtohet si sulm terrorist.

Policia është duke hetuar motivet e sulmuesit vetëvrasës, i cili u vra nga ushtarët, të cilët ruajnë stacionin hekurudhor. Duke cituar ministrin e Brendshëm të Belgjikës, Zhan Zhambon, kanali televiziv, VTM, njoftoi se hetuesit kanë identifikuar të dyshuarin, por ende nuk kanë bërë publik emrin e tij. Bëhet fjalë për një maroken 36 vjeçar, nga lagjja famëkeqe Molenbek, ku policia edhe në të kaluarën ka arrestuar islamistë të dyshuar, shkruan rtv21.tv

Zyrtarët e policisë njoftuan se pas një shpërthimi më të vogël në stacionin e trenit në Bruksel, ushtarët neutralizuan një person, i cili në trup kishte një jelek me bombë. Dëshmitarët theksuan se i dyshuari ka klithur Allahu është i Madh, para se të shkaktonte shpërthimin.

Sipas hetuesve, besohet se i dyshuari kishte një bombë të mbushur me gozhda, por të cilën nuk shpërtheu në tërësi. Për fat të mirë, nuk pati të lënduar si pasojë e këtij sulmi dhe mediat belge njoftuan sot se ushtarët me neutralizimin e të dyshuarit kanë arritur të parandalojnë një gjakderdhje.

Brukseli, qytet ky në të cilin gjenden edhe selitë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, është në gjendje të shtuar të gatishmërisë, që nga momenti kur një qelizë me seli në kryeqytetin e Belgjikës organizoi sulmin në Paris në nëntor të vitit 2015, me ç’rast u vranë 130 persona.

Katër muaj më vonë, në mars të vitit 206, sulmuesit vetëvrasës hodhën vetën në ajër në Bruksel, duke vrarë 32 persona./21Media

Back to top button