Sulmuan me grushte e shkelma teknikun medicinal, dënohen dy personat

Gjykata Themelore në Prizren – Dega në Dragash, Departamenti i Përgjithshëm sot ka shpallur aktgjykim dënues, ndaj të akuzuarve E.B., (I), dhe E.B., (II)., për shkak se më 18 qershor, kanë sulmuar një teknik medicinal.
Të akuzuarit u dënuan me nga 1 mijë e 500 euro, kështu duke e zëvendësuar burgimin prej 6 muajsh me gjobë.
“Për shkak të mosmarrëveshjeve derisa i dëmtuari kishte qenë në vendin e punës ku i akuzuari E.B., (II), kishte dërguar një familjar për trajtim mjekësor në qendrën e mjekësisë familjare në Dragash, fillimisht është fjalosur me të dëmtuarin- personin zyrtar, dhe të pakënaqur nga trajtimi mjekësor, derisa i dëmtuari kthehej për në shtëpi, fillimisht i akuzuari E.B., (I), e ndal në rrugë të dëmtuarin dhe e sulmon fizikisht duke e goditur me grushte e shkelma një pjesë të kokës dhe pjesë të ndryshme të trupit. Më pas ndërhyn edhe i akuzuari E.B. (II), duke e sulmuar fizikisht të dëmtuarin ku godet me grushte dhe shkelma në pjesë të ndryshme të trupit dhe nga goditjet e njëjta e rrëzojnë në tokë duke vazhduar me goditje, me ç’ rast të dëmtuarit i shkaktojnë lëndime të lehta trupore të konstatuara nga akt ekspertimi mjeko ligjor”, thuhet në një komunikatë për media.
Sipas Gjykatës thuhet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale sulm ndaj personit zyrtar nga neni 402 par. 3 lidhur me par. 1 e nenit 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Të akuzuarin E.B., (I), dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj, Konform Kodit Penal, me pëlqimin dhe propozimin e të akuzuarit, dënimi me burgim i është zëvendësuar me dënim me GJOBË në shumën prej 1,500.oo (njëmijepesëqind) euro. Të akuzuarin E.B., (II), dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj, Konform Kodit Penal, me pëlqimin dhe propozimin e të akuzuarit, dënimi me burgim i është zëvendësuar me dënim me GJOBË në shumën prej 1,500.oo (njëmijepesëqind) euro”, thuhet tutje në komunikatë.
Të akuzuarve do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 18.06.2021 deri më 16.07.2021.
Pas shpalljes së aktgjykimit, gjyqtari i rastit ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.
Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./21Media

Back to top button