Dy policë të cilët brutalisht me shqelma dhe shufër rrahën një qytetar nga Manastiri, do të suspendohen nga puna. Kundër njërit prej tyre që shihet qartë se ushtron dhunë ndaj qytetarit, MPB ka ngritur padi penale për maltretim gjatë kryerjes së detyrës në Prokurorinë Publike. Këtë e deklaroi ministri i Punëve të Bredshme në Maqedoninë e Veriut, Oliver Spasovski.

Sot është ngritur padi penale kundër njërit nëpunësi policor. Ndërsa kundër të dyve është ngritur procedurë disiplinore me suspendim nga puna. Prej këtu komisionet do ta udhëheqin procedurën dhe bazuar në atë do ta shohim sa do të zgjasë. Gjëja më e rëndësishme është që askush mos të mbetet pa u ndëshkuar”, informoi ministri.

Ndërsa një video tjetër është publikuar në rrjetet sociale në të cilën shihet se si policia ushtron dhunë mbi një qytetar në Shkup.

E për këtë Spasovski thotë se MPB ende po e heton rastin dhe se ende nuk dihet nëse polici ka vepruar jashtë ligjit.

Sektori për kontroll të brendshëm punon për këtë, duhet të shihet a bëhet fjalë për veprim joadekuar, do të dalim për detaje të reja”, tha Spasovski.

Nga ana tjetër personat e rrahur folën edhe publikisht për incidentin. Sipas tyre, ata mbrëmjen e së martës kanë bërë një aksident me veturë duke u përplasur në mur. Në afërsi ka pasur policë, të cilët kur kanë ardhur në vendin e ngjarjes i kanë nxjerrë personat nga automjeti dhe i kanë rrahur.

Kur dolëm nga vetura policët filluan të na shqelmojnë. Në momentin kur dolëm filluan rrahjet”, tha personi i sulmuar nga polici.

Ata filluan të na rrahin me gjësende dhe grushte. Nuk dinim çfarë të bëjmë”, pohoi personi tjetër.

Nga iniciativa “Avaja” e cila e bëri publike videon ku shihet se si polici rrah qytetarin paralajmëruan protestë.

Dua të përçojmë porosi të qartë përmes protestës që e planifikojmë pasi që këso raste nuk guxojnë të ndodhin në të ardhmen”, thanë nga “Avaja”.

Por edhe policët shpeshherë janë viktimë të dhunës. Pesë policë mbrëmë u sulmuan nga dru-vjedhësit në zonën e fshatit Stepanci. Njëri prej tyre përfundoi më dëmtime të rënda në kokë dhe është hospitalizuar në Qendrën e Urgjencës në Shkup. 4 sulmues janë arrestuar, ndërsa edhe 10 persona tjerë të cilët kanë marrë pjesë në incidentin janë identifikuar. Spasovski çoi mesazh se të gjithë ata që do të çojnë dorë ndaj policisë do të dënohen. Gjithashtu apeloi që Prokuroria publike vëmendshëm t’i hetojnë rastet./TV21